KORCE - Ambasadorja gjermanë në vendin tonë, Carola Myler Holtkemper ka theksuar se Shqipëria i ka pasur gjërat e qarta dhe transparente nga BE-ja për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Ndërsa na ndajnë dhe pak ditë nga marrja e përgjigjes nga Bashkimi Evropian, ambasadorja gjermane nuk ka dhënë një vlerësim të qartë, nëse Shqipëria do të marrë një përgjigje pozitive apo negative nga progres-raporti. Më tej Hotkemper u shpreh:
“Kushtet për marrjen e statusit kanë qenë të qarta dhe transparente. Do të jetë parlamenti evropian që do të shikojë realizimin e kritereve të vendosura dhe të bëra publike”.

Ndërsa pyetjes se çfarë i mbetet politikës shqiptare për të bërë që Shqipëria të fitojë statusin për në BE, Holtkemper iu përgjigj:

“Mendoj se kriteret për Shqipërinë për te fituar statusin janë bërë të njohura që në fillim. BE ka qenë transparente dhe kushtet janë bërë publike që para një viti. Gjatë kësaj periudhe partitë kryesore si partnere kyçe kanë krijuar një bashkëpunim dhe kanë arritur konsensuse në plotësimin e kritereve të parashtruara. Në sajë të bashkëpunimit u arrit që të zgjidhej Avokati i Popullit në bazë të meritave .Këto shembuj dëshmojnë se është bërë progres, por duhet punë e mëtejshme për zbatimin e kritereve, ku përfshihen edhe problemet e mjedisit e të turizmit si dhe të zbatimit të ligjit. Prej partnerëve kyç është bërë publik plani i veprimit në vazhdim të një procesi të qartë dhe transparent”.

Pyetjes nëse Shqipëria do ta marrë statusin për në BE në tetor Karola Myler iu përgjigj:
“Nuk e di. Do të shihet realizimi i rekomandimeve në Shqipëri, por ky nuk është fundi. Raporti i hartuar do të studiohet nga komisioni i Parlamentit Evropian , pastaj do të analizohet nga vetë Parlamenti në dhjetorin e këtij viti dhe së fundi është Parlamenti Evropian ai që do të vendosë për përmbushjen e rekomandimeve të Komisionit Evropian”.

Këto deklarata ambasadorja Holtkemper i bëri nga Prespa ku morri pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes midis dy ministrave të mjedisit,atij të Shqipërisë dhe Maqedonisë, për futjen e liqenit të Ohrit dhe Prespës në rezervën e biosferës.

(Shqiptarja.com)