Largimi i Sali Berishës dhe zgjedhja e një kryetari të ri në PD është një investim nga ndërkombëtarët. Sipas analistit Kreshnik Spahiu, Berisha po përdor përjashtimet nga partia e protestat për faktorizim me qëllimin për të treguar se s’ka kryetar e opozitë tjetër veç tij, u shpreh ai për “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv.

“Berisha është një njeri që ka informacion. Në takimet që ka pasur delegacioni i PD në Strasburg, Bruksel e Berlin, ndërkombëtarët janë duke investuar dhe financuar fuqishëm grupime në PD për largimin e Berishës dhe zgjedhjen e një lideri të ri në opozitë me qëllim për të sjellë një rotacion politik në Shqipëri. Berisha është i vetëdijshëm që pothuajse të gjithë ata që i ka në parti që më parë kanë qenë me Bashën, kanë qenë me ata që votuan për ta përjashtuar nga partia që u mbyllën në seli, të gjithë këta presin momentin për të larguar Berishën dhe kanë mbështetje nga ndërkombëtarët.

I vetmi mjet që i ka mbetur Berishës për t’u faktorizuar në parti janë përjashtimet nga partia të të gjithë atyre që kontaktojnë me ndërkombëtarët dhe e dyta, për t’u faktorizuar dhe eklipsuar nëpërmjet protestave, ai mbyt zërat brenda partisë dhe eliminon partitë e reja. Përqendrimi është fokusimi në protesta. Ai e ka thënë troç, boll ia kemi arritur lajmit ndërkombëtar. lajmi ndërkombëtar do të thotë që ai i thotë BE-së, Brukselit, Amsterdamit, Londrës, Romës e Berlinit që unë jam kryetar, vetëm unë jam opozita, nuk ekzistojnë as partitë e reja dhe nuk ka fraksione në partinë time. Në njëfarë mënyre ai arrin qëllimin për t’u zgjedhur kryetar”, tha Spahiu.

Një tjetër pikë ku Spahiu u ndal ishin përjashtimet nga PD ku tha se Berisha ka zbuluar më shumë armiq sesa Enver Hoxha dhe Stalini të marrë së bashku.

"Me statistika, Sali Berisha ka shpikur dhe ka zbuluar më shumë grupe armiqësore brenda partisë sesa Enver Hoxha dhe Stalini së bashku. Realisht të dy partitë, qoftë partia komuniste e Stalinit, qoftë partia komuniste e Enver Hoxhës nuk kanë pasur kaq shumë përjashtime brenda tyre sa PD. PD e Berishës është e vetmja që nuk ka asnjë themelues të 8 dhjetorit në gjirin e saj, nuk ka të burgosurit politikë, asnjë nga ish-pronarët dhe disidentët politikë, është e vetmja që ka krijuar 17 partiza brenda saj në 36 vite. Nuk ekziston në gjithë historinë politike botërore një parti, qoftë komuniste, qoftë demokratike, që të ketë pjellë kaq shumë fraksione", tha Spahiu.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:11
Përjashtimet në PD, Spahiu: Berisha ka zbuluar më shumë armiq brenda partisë se Enver Hoxha e Stalini së bashku

Sali Berisha ka zbuluar më shumë armiq sesa Enver Hoxha dhe Stalini bashkë, tha Kreshnik Spahiu në “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv. Analisti u shpreh se nuk ka asnjë parti në histori që të ketë krijuar kaq shumë fraksione.

“Me statistika, Sali Berisha ka shpikur dhe ka zbuluar më shumë grupe armiqësore brenda partisë sesa Enver Hoxha dhe Stalini së bashku. Realisht të dy partitë, qoftë partia komuniste e Stalinit, qoftë partia komuniste e Enver Hoxhës nuk kanë pasur kaq shumë përjashtime brenda tyre sa PD. PD e Berishës është e vetmja që nuk ka asnjë themelues të 8 dhjetorit në gjirin e saj, nuk ka të burgosurit politikë, asnjë nga ish-pronarët dhe disidentët politikë, është e vetmja që ka krijuar 17 partiza brenda saj në 36 vite. Nuk ekziston në gjithë historinë politike botërore një parti, qoftë komuniste, qoftë demokratike, që të ketë pjellë kaq shumë fraksione. Për hir të së vërtetës, këta nuk janë të gjithë tradhtarë. Nëse do të shikosh dobësinë e një partie, shikoje në armiqtë që ajo zbulon brenda saj”, tha Spahiu.

Ai shtoi se problemi qëndron te lideri i cili ka përzgjedhur anëtarët.

“Fakti që demokratët shiten, po e marrim opsionin, akuzën me të cilën Berisha anatemon kundërshtarët e tij brenda partisë, edhe në këtë rast tregon dobësinë e partisë, të lidershipit sepse ka qenë ai që i ka zgjedhur”, u shpreh Spahiu.

Ora 13:52
Ambicia e Braçes për Tiranën, Spahiu: Nëse e fiton, duhet t’i shpallë luftë mafies së ndërtimit dhe të pezullojë lejet për kulla

Kandidimi i Erion Braçes si kryetar bashkie për Tiranën dhe fitorja e mundshme e tij duhet të konsistojë në luftë ndaj ndërtimit dhe lejeve të kullave. Ky është qëndrimi i Kreshnik Spahiut i cili thotë në “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv se kjo histori duhet të marrë fund dhe i vetmi që mund ta realizojë, është pikërisht Braçe.

“Përplasja elektorale mendoj që do të jetë Erion Braçe dhe Alimehmeti. Nuk do të jenë Binaj dhe Manastirliu. Nëse Erion Braçe do të jetë kandidat që duket se do të ketë mbështetjen e PS, duhet me doemos t’i shpallë luftë mafies së ndërtimit. Vetëm Braçe mundet të realizojë një distancë mes këtyre bizneseve që menaxhojnë me para të zeza dhe të shpallë një vendim për mosdhënien e lejeve dhe kullave që kanë mbipopulluar Tiranën. Historia e kullave duhet të marrë fund në Tiranë. I vetmi që mundet të ushtrojë presion, të negociojë dhe të gjejë një të mesme është Erion Braçe, i cili deri më sot ka mbajtur diskursin kundër dhënies së lejeve të ndërtimit, kundër ndërtuesve dhe oligarkëve në pushtimin e territoreve”, tha Spahiu.

Ai theksoi se për afro më shumë se 1 vit, kryeqyteti është bërë i pabanueshëm dhe i pajetueshëm për shkak të arrestimit të Veliajt. Spahiu u shpreh i sigurt se kandidati socialist do të fitojë, por me një ‘kusht’.

“Erion Braçe është i vetmi kandidat që realisht e fiton Tiranën, por duhet ta fitojë me një vizion të ri, diskurs të ri”, u shpreh analisti.