Amerika ka të drejtë dhe kur gabon

Amerika ka të drejtë dhe kur gabon

Charles McGonigal

Të mërziturit me Amerikën kanë kohë që nuk fshihen më në Shqipëri. Dhe mirë bëjnë, sepse kjo është një gjë që lejohet, ngaqë nuk shkelet ndonjë ligj. Ndaj nuk kam ndërmend të hyj fare në debat me argumentet, që përdorin, aq më tepër kur shumica e tyre i kapërcejnë me shumë guxim edhe teoritë më të ekzagjeruara konspirative.

Tek e fundit në demokraci njerëzit janë të lirë t’i duan apo t’i urrejnë edhe shtetet njësoj si njëri-tjetrin. Uroj të mos vijë shpejt ajo ditë kur t’i dëgjojmë t’i japin leksione Amerikës për demokracinë dhe shtetin e së drejtës, se për gabimet e Uashigtonit nuk prishemi, ngaqë i pranojnë edhe vetë ata.

Në funksion të zemërimit të tyre për padrejtësitë që na vijnë nga përtej Atlantikut, po shfrytëzohet edhe historia e bujshme e hetimit të një ish-zyrtari të lartë të FBI, i cili mes të tjerash ka pasur edhe një segment të errët në Shqipëri. Histori, që e bën pis kryeministrin Edi Rama, i cili, sipas meje, edhe për kaq sa dihet deri tani, duhet të mbajë përgjegjësi.

Por nga ana tjetër ky triller spiunazhi amerikan gati po na paraqitet si një provë e pakundërshtueshme se edhe Shtetet e Bashkuara janë po kaq të kalbura sa edhe vendet jodemokratike apo autoritare dhe se fuqia apo qëndrueshmëria e insitucioneve të tyre janë një mit i rremë.

Në fakt është krejt e kundërta, megjithëse ajo që ka ndodhur nuk besoj se bën njeri krenar në Uashington. Për faktin e thjeshtë se i dyshuari që supozohet të ketë abuzuar me detyrën gjendet sot në paradhomën e qelisë së burgut, por jo vetëm kaq.

Përtej fatit të zotit McGonigal, i cili pritet të vendoset nga hetimi i mëtejshëm dhe më pas gjykimi i tij, Amerika është impresionuese si gjithmonë edhe për një ngjarje tjetër, që përfshin sërish FBI-në.

Pasi hetuesit e saj kanë ushtruar këto ditë kontroll për të gjetur prova paligjshmërie në shtëpinë e Presidentit Biden, disa muaj pasi të njëjtin riatual e kishin kryer në rezortin e ish-Presidentit Trump. Duke përndjekur praktikisht në kuptimin e ligjit dy burrat më të fuqishëm të Amerikës dhe për pasojë të gjithë botës.

Kaq mjafton për t’i mëshiruar të gjithë ata që përpiqen të na imponojnë hallet personale dhe keqkuptimet e tyre në Shqipëri, duke u përpjekur dëshpërimisht se mos kapin në gabim Shtetet e Bashkuara.

Ndërkohë që jam i sigurt se të mërziturit me Amerikën bëhen qull në djersë vetëm nga idea se policia apo prokuroria mund të trokasë një ditë në derën e udhëheqësve të tyre legjendarë, të cilët nuk ka lënë gjë pa bërë në dëm të vendit dhe popullit të vet.

Dhe kjo është pa dyshimin më të vogël ilustrimi më i mirë i asaj shprehjes së njohur se ” Amerika ka të drejtë edhe atëherë kur gabon”.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?