Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) organizon takimin e fundvitit, ku ka mbledhur bashkë të gjithë sektorin financiar, përfshirë drejtues të shoqërive të sigurimit, fondeve të investimit, fondeve të pensionit privat dhe bankave tregtare.
Në fjalën e saj, drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e AMF-së, Mimoza Kaçi, vlerësoi se gjatë vitit 2024 ‘ka pasur një përmirësim të mëtejshëm të treguesve kryesorë të shëndetshmërisë financiare të shoqërive që operojnë në tregjet nën mbikëqyrje’. Ajo u ndal edhe te disa zhvillime kryesore, ndër të cilat përmendi:
Miratimin e rregullores së faktorëve të riskut, e cila pritet të reformojë tregun e sigurimit të detyrueshëm të automjeteve, duke aplikuar modelet e vendeve të BE-së, realizimin e ndryshimeve në ligjin për sigurimin dhe risigurimin, duke harmonizuar legjislacionin vendas me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare për siguri dhe transparencë.
Gjithashtu implementimin e udhërrëfyesit për regjimin evropian të sigurimeve (Solvency II), përfundimin e paketës së plotë të akteve nënligjore në zbatim të ligjit të ri për fondet e pensionit privat dhe të tjera.
Kaçi u ndal edhe te sfidat dhe prioritetet kryesore për periudhën në vazhdim:
“Zbatimi i plotë dhe transparent i rregullores së faktorëve të riskut, me qëllim rritjen e qartësisë dhe parashikueshmërisë për të gjithë aktorët e tregut dhe në veçanti për personat e siguruar. Vijimi i implementimit të udhërrëfyesit të Solvency II, duke siguruar një përafrim të plotë me direktivat evropiane dhe rritjen e qëndrueshmërisë financiare. Zbatimi i standardeve ndërkombëtare të raportimit financiar IFRS 17, që kërkojnë realizimin e investimeve të nevojshme teknologjike, ndryshime në politikat kontabël dhe rritje të kapaciteteve profesionale. Rritja e nivelit të digjitalizimit dhe inovacionit teknologjik në tregjet financiare, për të rritur aksesin dhe eficencën operacionale”, tha ajo.
Në fund theksoi konsolidimin e mëtejshëm të tregjeve financiare, duke nxitur rritjen dhe qëndrueshmërinë e tyre në një mjedis gjithnjë e më kompleks, ‘forcimin e edukimit financiar të publikut dhe rëndësia e krijimit të një ekosistemi financiar më të integruar dhe të diversifikuar’.
Kaçi tha se AMF do vijojë të jetë garantues i qëndrueshmërisë dhe besueshmërisë për tregjet financiare nën mbikëqyrje dhe për sistem modern.