TIRANË, 25 Shtator/ATSH/- Tregu i sigurimeve është rritur me 18% për tetëmujorin e këtij viti.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar - gusht 2015 kapën vlerën mbi 8,960 milionë lekë, ose 18.77% më shumë se në periudhën janar - gusht 2014.
Gjatë periudhës janar - gusht 2015, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 718,826 me një rritje prej 7.21% krahasuar me periudhën janar - gusht 2014.
Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.83% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me 7.02% dhe veprimtarinë e risigurimit me 0.14%.
Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 39.93% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 60.07% të totalit të tregut.
Gjatë periudhës janar - gusht 2015, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 1,953 milionë lekë, ose 11.34% më shumë se në periudhën janar - gusht 2014./a.gjonaj//m.m/