Amnisti ‘kursimeve’ të emigrantëve? Ekspertët: Frikë nga pastrimi i parave, mund të përfitojnë qytetarët brenda vendit që kanë transferuar paratë jashtë

Mbi 332 mijë qytetarë përmes Këshillimit Kombëtarë janë pro amnistisë fiskale dhe penale për emigrantët që duan të depozitojnë kursimet e padeklaruara në Shqipëri. Kjo do të thotë se qeveria po shkon drejt nismës së vitit 2020, për të legalizuar paratë e padeklaruara të emigrantëve.

Nëse realizohet emigrantët i shpëtojnë ndjekjes penale për mos deklarim të pasurisë dhe nga ana tjetër nuk do të deklarojnë burimin e të ardhurave. Përpos qëllimit pozitiv dhe që do rriste të ardhurat në buxhet problemi mbetet pastrimi i parave.

“Në vetvete kjo nismë e re ka brenda dëshirën për të futur para për buxhetin e shtetit, nga ky këndvështrim i vlen qeverisë. Nga ana tjetër kapacitetet e administratës ashtu si dy vite më parë janë të njëjta. Ne nuk kemi një grup të targetuar që do të përfitoj nga amnistia në mënyrë që të mos biem ndesh me politikat për të parandaluar pastrimin e parave, të cilat nuk lidhen vetëm me evazionin apo korrupsionin por edhe me para që vijnë nga terrorizmi”, shprehet eksperti Gjokutaj.

Eksperti fiskal Eduard Gjokutaj, thotë se mekanizmat për të ndaluar futjen e parave që nuk vijnë nga puna në të zezë është e vështirë të funksionojnë në Shqipëri.

“Duke ditur që institucionet financiare edhe në vende të zhvilluara që kanë mekanizma të ndryshme kontrolli kanë ‘çeduar’ dhe janë pastruar para në sistemin bankar, natyrisht që ky është një risk i shtuar edhe për Shqipërinë, i cili është i ekspozuar jo vetëm nga paraja informale e brendshme por edhe nga pjesa e patronazhimit të parave”, pohon Eduart Gjokutaj.

Nga kjo nismë mund të përfitojnë edhe qytetarët që janë brenda vendit, pasi paratë e fituara në rrugë të paligjshme mund të dërgojnë jashtë Shqipërisë dhe nën petkun e emigrantit mund ti fusin në sistemin bankar përmes amnistisë.

“Ajo para që është krijuar nga korrupsioni dhe element të tjerë të veprave kriminale nga drogat, prostitucioni ndoshta është eksportuar jashtë vendit dhe tashmë me motivacion amnistinë e emigrantëve kërkon që të ri-hyjë. Natyrisht që nën petkun e emigrantit mund të fshihen edhe këto para kriminale të cilat bëhen pjesë e sistemit, pasi nuk mund të hyjnë ndryshe në territorin shqiptar që shkak se bien në sy edhe të ndërkombëtarëve”, pohon Gjokutaj.

Pavarësisht rrezikut të pastrimit të parave që është ngritur para 2 vitesh si shqetësim nga institucionet ndërkombëtare që kundërshtuan projektligjin, Gjokutaj skeptik është edhe për numrin e emigrantëve që do të deklarojnë paratë përmes nismës.

“Burimi nuk gjurmohet vetëm nga institucionet shqiptare të cilat mund të kenë ndikim politik, por mund të gjurmohen edhe nga ata që i kanë krijuar këto lloj parajsash fiskale apo ato lloj sistemesh që arrijnë të identifikojnë. Sado të bësh politika sociale qoftë edhe falas, individi nuk është i interesuar persa kohë nuk ka besim tek sistemi”, tha eksperti.

Amnistitë janë bërë edhe në vende e BE-së, si Greqia për të pasurit, por ekonomia e saj e përballonte sepse është më e zhvilluar.

“Greqia, e cila për shkak të krizave të shumta ndaj financave publike, dhe krizës së evazionit pasi Greqia është ndër shtetet e BE-së me nivelin më të lartë të evazionit fiskal, ka zbatuar amnisti fiskale kryesisht për të pasurit për ti futur në sistem. Por flasim për një model ekonomie më të zhvilluar dhe më të konsoliduar”, thotë Gjokutaj.

Për ekspertin, në Shqipëri ka ndodhur e kundërta.

“Kemi zbatuar 4-5 falje fiskale si falje detyrimesh për faturat e energjisë në kohë fushate kryesisht, që kanë qenë shumë të dëmshme dhe kanë minuar besimin se amnisti të tilla mund të japin efekte pozitive. Kushtet ekonomike, politike dhe sociale nuk janë për amnisti, vendi ka nevojë të formalizojë ekonominë e tij brenda për brenda dhe të stabilizoj aspektin politik që prej vitesh mungon prej vitesh”, pohon Eduart Gjokutaj.

Sipas projektligjit të 2020, për deklarimin e pasurive, amnistia do të zgjaste për 1 vit dhe për deklarimin e pasurive do të aplikohen tre fasha tatimi. Ata që deklarohen në 4 muajit e parë do të paguajnë tatim 5%, të dytët 7% dhe të fundit që deklarojnë pasurinë paguajnë 10%.Aktualisht kush deklaron pasurinë paguan 15% tatim mbi vlerën.

Ishte parashikuar që deklarimi vullnetar i pasurive do të kryhej pranë një strukture që do të ngrihej në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, pranë bankat e nivelit të dytë përfshirë edhe institucionet financiare, në sportel apo online.

Mirëpo ky draft u tërhoq për shkak të kritikave të ndërkombëtarëve, ekspertëve, politikës dhe bankave në vend, për shkak se projektligji nuk kishte të specifikuar sesi do të shmangej pastrimi i parave.

Ndërkohë Shqipëria pavarësisht nismave për të parandaluar pastrimin e parave, përsëri është në listën gri të Moneyval, për rrezik të lartë në këtë drejtim.

SI.E./Sh.Sh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja