Përveç marrjes së masave për të përballuar krizën që po shkakton COVID-19, qeveria po punon edhe për finalizimin e draftit për amnistinë fiskale, që pritet të miratohet brenda muajit maj në Kuvend. Projektligji i amnistisë fiskale, parashikon jo vetëm hapjen e dyerve për të derdhur në sistemet bankare paratë e emigrantëve, por edhe legalizimin e bilanceve reale, që shumë kompani i kanë mbajtur të fshehura në vite.
Pak ditë më parë kryeministri Edi Rama njoftoi se është parashikuar që amnistia të zgjasë një vit dhe të jetë e ndarë në tre fasha tatimi për deklarimin e të ardhurave. Pra kush deklaron në katër-mujorin e parë të amnistisë paguan 5% tatim, në katër-mujorin e dytë 7% dhe në të tretin 10%. Për ish ministrin e Financave Arben Malaj, për vlera parash deri në 50 mijë euro të emigrantëve të mos aplikohet asnjë masë tatimi.
“Për riatdhesimin e parave unë do të isha për një shumë të caktuar 50 mijë euro apo 5 milionë lekë që të mos tatoheshin dhe shteti do të fitonte më shumë para nga fakti që ata do i fusin në ekonomi paratë nga sesa tatimi 5%. Po shikoj formulën e qeverisë që thotë se në 3-4 mujor kush i fut menjëherë 5%, pastaj 7% dhe pastaj 10% duket sikur amnistia ka në vetvete një shtysë më shumë sesa formalizimin përpjekjen për të marrë para në afatshkurtër”.
Po ashtu Malaj thotë se hartimi i këtij projektligji duhet i unifikuar edhe me politikat e bankave, të cilat kanë një limit të caktuar për vlerën e parave që pranojnë pa u justifikuar plotësisht burimi. Sipas Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit niveli që mund të deklarosh është 1 milionë lekë.
“Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Inteligjencës Financiare mund të bëjnë një formular që çdo njeri ta plotësoj ku deklaron se të ardhurat e tij nuk vijnë nga asnjë aktivitet kriminal. Sepse bankat duhet që për çdo shumë mbi 7 milionë lekë, për çdo person që çon paratë në bankë automatikisht ndahet edhe informacioni me Autoritetin e Inteligjencës Financiare dhe me Prokurorinë, por në rastet kur bëhet amnisti, duhet hequr tavani i parave që bankat pranojnë pa justifikuar burimin e të ardhurave”.
Ish ministri thekson se përveç formalizimit të të ardhurave synimi dhe objektivi kryesor i shtetit duhet të jetë përdorimi i këtyre parave në ekonomi dhe jo vetëm deklarimi në banka.
“Kjo mund të lehtësojë hyrjen e shpejtë të parave dhe mundet të lehtësojë edhe futjen e tyre në ekonomi. Ne nuk na duhen paratë thjeshtë në banka, sepse ato sot kanë likuiditet, në sistemin tonë bankar kemi depozitat që nuk janë qarkullim ekonomik sepse pjesa e kredisë që jepet është më e vogël sesa pjesa e depozitave që kemi në sistemin bankar.
Duhet të kemi parasysh që çdo amnisti duhet shoqëruar me një sërë masash lehtësuese ku do të reduktohen procedurat, kostot, ku reduktohen praktikat e aplikimit, marrjes së lejes dhe të orientohen paratë që të futen në bankë dhe të dalin sa më shpejt në ekonominë reale, ky do të jetë përfitimi më i madh që duhet të kemi ne nga amnistitë”.
Ligjërisht mosdeklarimi i pasurisë është akt i veprës penale, pasi individi ka fshehur pasurinë dhe nuk ka paguar tatimin mbi të ardhurat në vlerën e 15%, dhe në momentin që do të bëjë këtë deklarim të pasurisë ndaj individit nuk do të ketë penalitete, do të ushtrohet një tatim nga 5-10% dhe formalizohet paraja.