Amnistia fiskale 'thikë me dy presa', eksperti për Report TV: Nuk shmangen dot paratë e krimit

Do të ketë amnisti fiskale për të gjithë ata qytetarë vendas dhe emigrantë që kanë punuar në të zezë. Kjo nismë u vjen në ndihmë qytetarëve që nuk i kanë deklaruar të ardhurat e tyre deri sot. Kreu i qeverisë premtoi se nuk do të ketë asnjë penalitet deri sa të mbarojë amnistia. Një masë e tillë është edhe indikator për të matur bazën e informalitetit në ekonomi, duke qenë se paratë qarkullojnë në cash, pra jashtë sistemit bankar.

Por çfarë është amnistia fiskale apo e kapitalit? Me këtë nismë qytetarëve supozohet t’ju falen të gjitha detyrimet e prapambetura si pasojë e mosdeklarimit të pasurisë së tyre, e vënë në këtë rast duke punuar në të zezë. Ligjërisht mosdeklarimi i pasurisë është akt i veprës penale, pasi individi ka fshehur pasurinë dhe nuk ka paguar tatimin mbi të ardhurat në vlerën e 15%, dhe në momentin që do të bëjë këtë deklarim të pasurisë ndaj individit nuk do të ketë penalitete, dhe formalizohet paraja.

Por si e shohin ekspertët një masë të tillë? Eksperti Pano Soko shprehet se kjo amnisti do të sjell më shumë të ardhura në ekonomi, por do të rritet pabarazia mes atyre që kanë paguar çdo detyrim deri më tani dhe atyre që nuk kanë paguar.

Matematikisht kjo do të sjell disa prurje, flukse financiare që do të futen nëpër banka, dhe  do të kanalizohen në banka. Natyrisht që ato para do të fillojnë të investohen dhe të kryhet diçka me to. Pra, do të sjellin diçka në ekonomi. Problemi këtu është politik, ose më saktë problemi është demokratik, pasi shkelet barazia mes shtetasve. Ne sapo iu kemi thënë të gjithë atyre njerëzve që kanë paguar taksa, se ju jeni budallenj”, shpjegon eksperti për ekonominë Pano Soko.

Sa i takon faktit që nga kjo amnisti do të përfitojnë më së shumti emigrantët, të cilët nuk kanë deklaruar paratë pasi kanë punuar në mënyrë ilegale, Soko thotë se nga kjo nismë mund të përfitojnë persona që janë marrë me aktivitet kriminal.

"Njerëz të cilët do të fshihen nën petkun e emigrantit që kanë punuar në Itali, apo Greqi, dhe kanë bërë këto para, do të sjellin para që i kanë prodhuar në rrugë të tjera. Të gjitha këto para të prodhuara nga aktivitete kriminale do të vijnë në Shqipëri do të deklarohen si para të prodhuara në punë të zezë në emigracion, dhe në fund këtu do t'i hapet rruga një fluksi të madh parash të zeza që të futen në sistem. Ti nuk e vërteton dot nëse ka punuar në të zezë, pasi presupozohet se nuk ekziston”, thekson eksperti.

Sipas ekspertit edhe pse është deklaruar se në amnisti nuk përfshihen disa kategori si personat me të shkuar kriminale apo gjyqtarë prokurorë apo zyrtarë të lartë, kjo nuk përjashton mundësinë për abuzime. Soko thekson se porsa kohë nuk identifikohet kompania ku ka ushtruar aktivitetin një person, mundësitë për pastrimin e parave të pista janë të mëdha.

Një amnisti totale për të punësuarit në të zezë në Shqipëri ndodh për herë të parë.

AMNISTIA NË VITIN 2011, NGA SALI BERISHA

Ndërkohë në vitin 2011, qeveria demokratike e drejtuar nga ish-Kryeministri Sali Berisha, hartoi një ligj “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor”, që synim kishte faljen apo fshirjen nga regjistrat e kontabilitetit tatimor të detyrimeve dhe gjobave të papaguara deri më datën 31.12.2010.

Amnistia iu falte pjesërisht tatimpaguesve borxhet tatimore dhe doganore të tilla si:

- detyrimet tatimore të personave fizikë, të regjistruara si subjekt i taksës vendore të biznesit të vogël, të mbetura të papaguara e që i përkasin periudhës tatimore deri më 31 dhjetor 2010;

- detyrimet tatimore të papaguara të individëve për periudhën tatimore deri më 31 dhjetor 2010.

- detyrimet tatimore të papaguara të tatimpaguesve, persona juridikë apo persona fizikë, të regjistruar si subjekt i TVSH-së, që janë të evidentuar në regjistrat e administratave tatimore deri në datën 31 dhjetor 2008.

- të gjitha detyrimet e prapambetura të pronarëve të mjeteve për taksën e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve dhe taksën vjetore të qarkullimit rrugor për periudhën deri më 31 dhjetor 2010.

- iu falen detyrimet për këto taksa, për të gjitha mjetet e dala jashtë qarkullimit, por të pa çregjistruara deri në datën 31 dhjetor 2010. 

Sipas ligjit të 2011, do të faleshin detyrimet e papaguara të tatimpaguesve subjekt i TVSH-së, nga 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2009, nëse tatimpaguesi, paguan 30 për qind të principalit të tatimit. Ndërsa për ata tatimpagues të regjistruar si subjekt i TVSH-së, që janë të evidentuara në regjistrat e administratave tatimore në periudhën 1 janar 2010 deri më 31 dhjetor 2010, falen nëse tatimpaguesi, paguan 50 për qind të principalit të tatimit. Po ashtu ka pasur edhe një sërë faljesh të tjera si për detyrimet shoqërore apo për efektivitetin e kasave fiskale.

Më vonë në një raport të KLSH-së për “amnistinë e gjobave” në maj të vitit 2018 thuhet se për atë vendim nuk ka ende asnjë shifër konkrete se sa ka përfituar buxheti. “Nuk mohohet impakti që ka dhënë në rritjen e të ardhurave të buxhetit, sidomos të viteve 2012-2013, kur edhe kjo amnisti është zbatuar. Thuhet se janë përfituar me miliarda lekë nga kjo amnisti sidomos për legalizimin e kapitalit në drejtim të rivlerësimit të tokave dhe banesave. Por nuk ka shifra konkrete”.

I.K/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sulo: 01/03/2020 20:06

    Nuk mund te behet amnisti fiskale pasi shumica e parase eshte me origjine kriminale. Ok le te marrim te mirqene qe emigrantet kane sjelle para qe e kane fituar nga puna ne te zeze, sa eshte kjo shume mesatare? Si mund te jete keto shuma kaq te medha kur ata qe kane para me pune ne te zeze kane makina luksi me vlere 70-100 mije euro? Çdo gje eshte demagogji e kryeminstrit per nje mandat te trete. Kjo lloj politike i perngjet politikes italiane te berluskonit te mos te paguarit taksa dhe dekurajon te ndershmin te paguaje taksat. Ne nje vend ku kryeministri inkurajon trafikantet e droges ne administrate te vetmit qe perfitojne jane trafikantet. Kjo llogjike do te amnistoje edhe parate e korrupsionit. Pra kjo do ta beje te pandeshkueshem korrupsionin ne shqiperi.

    Përgjigju
    • Kryeminister i korruptuar: 02/03/2020 12:40

      Shume e sakte. Vetem nje kryeminister i korruptuar mund te beje amnisti nga e cila perfitojne vetem kriminelet dh biznesmenet qe i fitojne parate ne menyre te piset, dhe pastaj hiqet sikur kjo shkon ne favor te emigranteve te cilet e kane ndertuar te ardhmen jashte me pune te paster.

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Dosja 5D, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë

Dosja 5D, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë