TIRANË- Nënkryetari i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj i ka bërë thirrje kryetares së Kuvendit që të fusë në seancën plenare projektligjin për amnistinë penale, bashkë me amendamentin e paraqitur nga PD dhe votimin një orë e më parë të tij.
Alibeaj ka përsëritur sërish kushtin e PD-së për votimin e ligjit për amnistinë penale. Alibeaj tha se PD do votojë nëse nuk përfitojnë të dënuarit dhe të hetuarit e GJKKO dhe SPAK. Ndërkohë që kërkoi që të përfshihen në ligj që të përfitojnë protestuesit sipas kërkesave tyre.
'Partia Demokratike është e vendosur dhe i qëndron pozicionit të saj, që ligji i amnistisë do të duhet të miratohet. Do të duhet të miratohet ashtu siç erdhi nga qeveria, nga Ministria e Drejtësisë në versionin e saj fillestar dhe atij ligji t’i shtohen dhe amendamentet me anë të cilit përfitojnë edhe protestuesit për atë periudhë kohore sipas së cilës ne kemi paraqitur në parlament. Ne jemi të vendosur, ishim të vendosur sot për të votuar projektligjin e amnistisë së bashku me amendamentet tona. Jemi të vendosur edhe në seancën e radhës, sa më shpejt aq më mirë u bë kaq kohë që ky projektligj diskutohet, u bë kaq kohë që ky projektligj diskutohet, u bë kaq kohë që shumë përsona të cilët përfitojnë, e presin që të marrin pjesë e të votojmë ligjin e amnistisë. Sigurisht duke qartësuar edhe sot, siç e kemi qartësuar edhe më parë që PD do të votojë një projektligj të amnistisë sipas versionit fillestar të ardhur nga qeveria, sipas të cilit nuk përfitonte askush nga ata të cilët janë në ndjekje penale, apo janë dënuar nga Gjykata kundër Krimit dhe Korrupsionit në Shqipëri, apo janë në ndjekje penale nga SPAK-u.
Ky është një qëndrim koherent i yni, për t’i dhënë mbështetje drejtësisë së re, për të përfituar ajo pjesë e shoqërisë e cila është dënuar në mënyrë të padrejtë. Pse jo për të lehtësuar edhe mbipopullimin edhe në burgje dhe nga ana tjetër edhe për t’i dhënë drejtësi dhe për t’i hequr nga zgjedha e persekutimit policorë të gjithë protestuesve shqiptarë. Ata të thirrur nga PD dhe aleatët e vet, apo dhe nga protestat e zhvilluara në mënyrë spontane, apo nga shoqëria civile. Ky është qëndrimi që kemi mbajtur, mbajmë sot e do ta mbajmë edhe në vazhdim.
Ndaj, thirrja ime është kjo për mazhorancën dhe për këdo deputet që projektligji i amnistisë në seancën e radhës të parlamentit në këtë formë siç e prezantoi qeveria, me këtë amendament të paraqitur nga ana jonë pa asnjë amendament tjetër i cili cenon produktin e SPAK dhe të gjykatës kundër Krimit dhe Korrupsionit. Ndaj thirrja ime është për të gjithë ata dhe në favor të të gjithë atyre pjesë të publikut shqiptarë që e presin dhe e presin këtë projektligj. Ndaj pres nga kryetarja e Kuvendit, nga mazhoramca, nga përfaqësuesit e qeverisë që të shqiptojnë publikisht, e më pas ta formalizojnë në procedurën parlamentare futjen në rendin e ditës, së bashku me amendamentin e paraqitur nga PD dhe votimin një orë e më parë të projektligjit të amnistisë.'- tha Alibeaj.
'Përplasja' për amnistinë penale
Një amendament i socialistëve bëri që kryedemokrati Lulzim Basha të akuzojë PS-në se po tenton të shpëtojë zyrtarët e korruptuar. Por, PS thotë se bëhet fjalë vetëm për ulje të dënimit me 1 vit për burrat dhe 1 vit e gjysmë për gratë e të miturit edhe për ata që janë dënuar nga GJKKO,e jo ata që po hetohen apo gjykohen aktualisht nga SPAK e GJKKO. Kështu në pamundësi për pasjen e 84 votave, PS u tërhoq nga votimi javën e kaluar.
Kryetari i PD-se Lulzim Basha tha se nuk do të votonte pasi PS synon të falë të korruptuarit ndërsa kushtëzoi votën me faljen e protestuesve, amendament që PS e ka pranuar, por pa falur protestuesit e dhunshëm. Rithemelimi ka të njëjtat pretendime, por votën pro nuk e premton pasi ndodhet në aksion. Dy grupet e PD u mbështeten edhe nga PL e aleatët në bllokimin e votimit për amnistinë penale.