TIRANE - Një ditë pasi mori dritën jeshile me 110 vota pro në Kuvendin e Shqipërisë, amnistia penale vijon të trazojë politikën.
Duke kërkuar të zbatohet sa më parë, Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja tha se dikush e përdori amnistinë për politikë, e dikush si akt human.
“Të bësh politikë me hallin e tjetrit është gjëja më e ulët për një qenie humane që në vend të zemrës një zot e di se çfarë ka! Si Ministër Drejtësie, sot ndihem krenar, që me durim dhe këmbëngulje, votuam ligjin e amnistisë që kaluam në qeveri me zero përfitim për subjektet e SPAK dhe GJKKO!’’-
Por grupi i Lulzim Bashës vijon t’i qëndrojë argumentit se protestuesit nuk u falën dhe se përfitojnë nga kjo amnisti edhe subjektet e SPAK.
Për këtë, Enkelejd Alibeaj doli në një konferencë për mediat, duke sqaruar me emra dhe mbiemra protestuesit që nuk përfitojnë.
“Me aktin e amnistisë nuk përfitojnë protestuesit. Ata vazhdojnë të enden prokurorive, gjykatavem vazhdojnë të jenë ende nën thundrën e represionit policer të kësaj qeverie.- tha Alibeaj.
'Djalli fshihet në procedurë është për rastin tonë sipas variantit djalli fshihet në detaje është luajtur me paragrafët e neneve për të cilët janë akuzuar protestuesit. Të gjithë protestuesit pa përjashtim akuzë kryesore kanë pas kundërshtimin e punonjësve të policisë të parashikuar nga neni 236 fraksion 2. Protestuesi D.B është dënuar në kundërshtim të punonjësit të policisë, rendit publik parashikuar nga neni 236 fraksion 2, dënuar me një vit burgim. Është një 63 vjeçar që vjen që nga viti 2019 për çdo seance gjyqësore nga një fshat i thellë i Devollit. Edhe në këtë rast po jap vetëm inicialet, shtetasi A. P.’- tha Murrizi.
Alibeaj ironizoi edhe protestën që paralel me konferencën e tij, rithemelimi mbante në bashkinë e Tiranës kundër zyrtarëve të korruptuar.
'Dje u amnistuan drejtorët e bashkisë dhe u ndëshkuan protestuesit, sot thirren protestuesit para bashkisë. Kjo është tallja që bëhet me protestuesit' tha Alibeaj.
Amnistia u votua pa shumë diskutime të enjten në Kuvend me 110 vota pro, votën kundër të Agron Shehajt, abstenimin e Ermonela Felaj dhe me grupin e Bashës që nuk votoi. Nga ky grup pati vetëm dy vota pro, por në konferencë Alibeaj sqaroi se ishte çështje mos-rakordimi.
Lista e përfituesve të amnistisë, ministria e Drejtësisë tha për Report Tv se do publikohet shumë shpejt.