TIRANE- Projektligji i Ministrisë së Drejtësisë “Për dhënie amnistie” pritet që të shqyrtohet brenda tre javëve në punimet e Kuvendit, kjo pas miratimit të kalendarit të punimeve në këtë institucion nga konferenca e Kryetarëve. Qëllimi i këtij ligji është të përjashtojë nga ndjekja penale, nga vuajtja tërësisht ose pjesërisht e dënimit të gjithë personat që plotësojnë kriteret sipas dispozitave të këtij ligji.

Përfitojnë nga aministia të gjithë personat e dënuar me burgim deri në 2 vjet, personat e dënuar me kusht, me gjobë apo personat për të cilët gjykata ka caktuar një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 30 nëntor 2013, pavarësisht kohës së mbetur nga dënimi, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij ligji. Po kështu pushohet ndjekja penale për veprat penale të kryera deri në datën 30 nëntor 2013, për të cilat Kodi Penal parashikon një dënim me burgim deri në 2 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të lehtë.

Por gjithashtu gjatë këtyre tre javëve pritet që të fillojë diskutimi edhe për një draft tjetër të kësaj ministrie, pikërisht me paketën antikorrupsion ose siç njihet ndryshe Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10192, datë 3.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”. 

Shkrimi u publikua sot (28.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)