Ana e errët: Xhungla shqiptare që zhduku biznesmenin amerikan, për llogari të gruas së Gjin Gjonit

Ana e errët: Xhungla shqiptare që zhduku biznesmenin amerikan, për llogari të gruas së Gjin Gjonit

Gjin Gjoni

Lucio Suoto është president i International Cruise Duty Free. Kjo kompani amerikane që ai drejton ka fituar një kontratë në Shqipëri, por nuk e zbaton dot. Çështja është sërish në dyert e gjykatave dhe zyrat e larta të qeverisë.

“Pas shumë sipërmarrjeve të suksesshme në mbarë botën, ne vendosëm të investonim në Shqipëri, përkundër këshillës së shumë njerëzve, të cilët na paralajmëruan për mënyrën e të bërit biznes këtu. Gjithsesi, ne vendosëm të investonim para, kohë dhe energji këtu, duke menduar se vendi ishte në rrugën e duhur, duke besuar se një vend i cili aspiron Bashkimin Europian do të synonte një klimë të drejtë biznesi dhe duke shpresuar se reforma e nisur në drejtësi do të siguronte një sistem gjyqësor të lirë dhe të paanshëm, një sistem pa ndërhyrje. Por ky vend zhgënjeu investimin dhe principet tona”, deklaron Suoto.

Por çfarë e ka zhgënjyer një sipërmarrës të huaj në përpjekjen e tij për të investuar në Shqipëri?

International Cruise Duty Free, ICDF, ka fituar një kontratë me Tirana International Airport, për të menaxhuar dyqanet në zonën Duty Free të këtij aeroporti. Kompania amerikane ICDF, pasi ka fituar tenderin, ka lidhur edhe kontratën me TIA-n, por dyqanet Duty Free menaxhohen ende nga kompania Albania Duty Free Distribution (ADFD), e cila duhej ta zotëronte këtë biznes, zyrtarisht, deri në 29 gusht 2019.

Në 26 nëntor 2018, TIA shpalli tenderin ndërkombëtar për menaxhimin e dyqaneve Duty Free, duke qenë se kompanisë ekzistuese i përfundonte kontrata në 28 korrik 2019. Në garë hynë shtatë kompani, shumica të huaja. Albania Duty Free Distribution u njoftua më 22 shkurt përmes një komunikimi zyrtar nga TIA se e ka humbur garën dhe kontrata e saj do të përfundojë, sipas afatit ligjor.

Në 3 qershor 2019, kompania amerikane ICDF njoftohet zyrtarisht, përmes një letre drejtuar Presidentit të ICDF Lucio Suoto dhe zv/presidentit ekzekutiv Marco Gaviria, se është vlerësuar si ofertuesi i suksesshëm në këtë garë dhe në 31 korrik është bërë edhe nënshkrimi i kontratës. Sipas saj, ICDF duhet të merrte në dorëzim dyqanet në 15 shtator të këtij viti.

Por humbja në garë nuk është pranuar nga ana e kompanisë shqiptare. Në 17 maj 2019, ADFD i dërgon një letër TIA-s me një ofertë të re financiare, në përpjekje për të arritur një marrëveshje. Kompania është në pronësi të Elona Çaushit, bashkëshorte e gjykatësit të Apelit Gjin Gjoni, një emër i njohur dhe po kaq i përfolur në sistemin e drejtësisë shqiptare. Në letër theksohen qartë lehtësitë që posedon kjo kompani për të operuar në burokracinë e administratës shtetërore shqiptare.

“Siç e kemi theksuar dhe më parë, për sa i përket ligjit, ne posedojmë licencën dhe për ne është shumë e lehtë dhe shumë i shpejtë rinovimi formal i licencës. Ndërkohë që nëse vjen një operator tjetër, atij do t’i duhen të paktën 6 muaj për të marrë licencën, gjithmonë në qoftë se dogana ia miraton atë”, deklaron Çaushi.

Edhe pse kishte humbur tenderin, kompania ADFD i ishte drejtuar gjykatës, me një kërkesë për të vazhduar të ushtrojë aktivitetin në këtë biznes. Dhe, në 1 gusht 2019, kur gjyqtari i Tiranës Arjan Aliaj ka marrë në shqyrtim kërkesën, asnjë përfaqësues nga kompania që kishte bërë padinë, nuk është paraqitur në gjykim, pa shkaqe të arsyeshme, sipas vendimit të gjykatës. Ndërkohë që aeroporti kishte dërguar përfaqësuesin e tij në këtë proces. Në këto kushte gjyqtari Aliaj ka vendosur pushimin e çështjes.

Në të njëjtën ditë, ndërsa një gjykatës pushonte çështjen e parë, kompania e zonjës Çaushi, paraqet një tjetër padi me të njëjtin objekt gjykimi. Shtatë ditë më vonë, shorti ia vë padinë në tavolinë gjykatëses Mimoza Kajo-Brahimi, e cila shqyrton të njëjtën kërkesë dhe vendos që kompania e Elona Çaushit të vijojë aktivitetin tregtar në Aeroportin e Rinasit, deri në zgjidhjen përfundimtare të padisë. Gjyqtarja Mimoza Kajo Ibrahimi e ka shqyrtuar këtë kërkesë, pa vënë në dijeni palën e paditur, Tirana International Aeroport.

Kompania Albania Duty Free Distribution, ka pretenduar në gjykatë se tenderi i shpallur nga TIA për menaxhimin e të njëjtave ambiente “deri në atë moment nuk kishte konkluduar me një fitues”. Kjo bie ndesh më të vërtetën, pasi ADFD ishte njoftuar zyrtarisht nga TIA që në 22 shkurt 2019 se ka rezultuar humbëse në tenderin për dyqanet pa taksa. Jo vetëm kaq, por administratorja e kompanisë ishte në dijeni edhe se kush e kishte fituar tenderin. Pasi në një letër drejtuar TIA-s në 5 korrik 2019, zonja Çaushi shkruan: “Ne morëm pjesë dhe humbëm. Morëm vesh nga partnerët tanë që ka fituar ICDF”.

Vendimi i gjykatëses Mimoza Kajo-Brahimi, i cili tashmë është ankimuar në Apel, bazohet edhe në një klauzolë ligjore që implikon Ministrinë e Financave. Sipas nenit 248 të Kodit Doganor dhe nenit 638/2 të vendimit të qeverisë nr. 199, 2017, Ministria e Financave duhet të lajmëronte 60 ditë para përfundimit të kontratës ADF-në, se nuk do t’i rinovohej licenca për ushtrimin e aktivitetit tregtar në Rinas. Ministria nuk e ka përmbushur këtë detyrim dhe ky ka qenë një argument i fortë ku është bazuar edhe vendimi i gjykatës. Ministria e Financave nuk ka asnjë shpjegim se përse nuk e ka njoftuar kompaninë se nuk do t’i rinovohej licenca.

Okazionet që paraqiten në letrën e zonjës Çaushi drejtuar TIA-s, lidhur me lehtësitë e kapërcimit të procedurave administrative, rezultojnë të vërteta. Pasi kishte siguruar një vendim gjykate për vijimin e biznesit në Duty Free, kompania siguron edhe licencën e re brenda vetëm 24 orësh, në mes të gushtit. Drejtoria e Doganave ka aplikuar për licencën e Duty Free në Aeroportin e Rinasit në datën 15 gusht, ndërsa Ministria e Financave e ka firmosur rinovimin një ditë më pas, pra në 16 gusht. Licenca është firmosur nga zëvendësministri Elton Haxhi.

ADFD është pajisur me licencë, edhe pse nuk posedonte me një kontratë qeraje me Aeroportin, që nga data 27 Korrik. Ajo nuk i ka lajmëruar autoritetet e Ministrisë së Financave për këtë.

Licenca anulohet nga Ministria e Financave vetëm më datë 30 shtator, disa javë pasi autoritetet shtetërore ishin vënë në dijeni të shkeljes dhe pas kërkesave të shumta të palëve të interesuara. Ndërkohë që ADFD e merr licencën brenda ditës, ministrisë i duhen disa javë për t’ia hequr, kur mëson se së paku ajo nuk ka lajmëruar autoritetet që nuk posedon më një kontratë qiraje me aeroportin, si kusht themelor për t’u pajisur me licencë.

Nga 30 shtatori deri në 8 tetor, edhe pse pa licencë “duty free” dhe pa një kontratë qiraje, ADFD ka vazhduar të ushtrojë aktivitet pa u ndaluar nga autoritetet doganore dhe Ministria e Financave. Nuk është e qartë gjithashtu se pse në këtë moment Ministria nuk lëshon një autorizim për “duty free” për kompaninë amerikane, e cila kishte dorëzuar dosjen për t’u pajisur me autorizim shumë javë më parë, në bazë të kontratës së firmosur me Aeroportin e Rinasit që në datë 31 korrik 2019. Ndërkohë në ndihmë thërritet sërish gjykata. Në 8 tetor të 2019, gjyqtari Avni Sejdi, me një vendim të ndërmjetëm ka pranuar kërkesën e “Albania Duty Free Distribution” për pezullimin e efekteve të vendimit të Ministrisë së Financave për anulimin e autorizimit për ushtrimin e aktivitetit në ambientet Duty Free në Aeroportin e Rinasit, deri në zgjidhjen me themel të çështjes.

Gjyqtari nuk ka marrë parasysh faktin që ADFD ka shkelur ligjin pasi nuk ka përmbushur detyrimin për të lajmëruar autoritetet se nga data 27 gusht nuk kishte më një kontratë për ambjentin ku ushtronte aktivitetin, detyrim ky për të marrë një licencë duty free. (ADFD ka qenë në dijeni që në shkurt 2019 që kishte humbur tenderin e organizuar nga TIA ose së paku që në datë 5 korrik kur znj.Çaushi e pohon këtë fakt në letrën që i dërgon Aeroportit të Rinasit.) Duket që, në të gjitha rastet, kompania ADFD ka gjithmonë kohën e nevojshme për të thirrur gjykatat në ndihmë.

E kontaktuar nga “31 Minuta”, për të mësuar lidhur me argumentimin e veprimeve dhe mosveprimeve të Ministrisë së Financave për këtë çështje, autoritetet nuk dhanë asnjë shpjegim, duke i hedhur më shumë mjegull marrëdhënieve të saj me kompaninë ADFD.

Ndërsa vazhdonte kjo betejë administrative, TIA, në 4 shtator 2019, i ishte drejtuar me një letër ICDF, duke e lajmëruar se dorëzimi i ambienteve nuk do të bëhet në 15 shtator siç e parashikon kontrata, për shkak të disa ngjarjeve të paparashikuara. Në letër thuhet se TIA do ta kundërshtojë vendimin e gjykatës në favor të ADFD me të gjitha mjetet e mundshme ligjore.

E pyetur nga programi “31 minuta”, kompania që menaxhon aeroportin nuk bëri asnjë koment, por deklaroi se do të vazhdojë të ndjekë rrugët gjyqësore.

Ndërsa zhvillohet kjo betejë ligjore mes TIA-s dhe kompanisë ADFD, kompania amerikane që ka fituar tenderin dhe ka në dorë një kontratë që i lejon të marrë nën kontroll biznesin që nga data 15 shtator, është në pritje. Çështja duket se nuk është thjeshtë një konflikt mes tri kompanive private. Pasojat financiare do të bien sërish mbi financat publike.

Në një prononcim dërguar me shkrim për programin “31 minuta”, Lucio Suoto, president i International Cruise Duty Free, thotë se zhgënjimi i tij për të investuar në Shqipëri do të ketë edhe një kosto.

“Ky zhgënjim ka koston e tij jo vetëm për kompaninë tonë. Sepse ka kosto të tjera nëse Ministria lëshon një licencë pa shqyrtuar dokumentet apo nëse gjykata merr vendime duke shkelur çdo parim biznesi. Ka kosto për qeverinë shqiptare, e cila së fundmi humbi një çështje në gjykatë ndërkombëtare kundër një tjetër kompanie të huaj. Ka edhe kosto që i ndajmë me qytetarët shqiptarë, sepse kjo çështje është më shumë se një investim i huaj i humbur, por është edhe çështje e së ardhmes që këta qytetarë meritojnë. Ne jemi të zhgënjyer, më së pakti. Në vend që koha jonë të shpenzohej në investimin e bërë, po harxhohet duke luftuar një kauzë dhe probleme që pikësëpari nuk duhet të ekzistonin”, thotë Lucio Suoto.

Në raportin e korrikut 2019 për lirinë ekonomike, Departamenti Amerikan i Shtetit thekson se “investitorët raportojnë shqetësime për legjislacionin. Favorizohen edhe kompani të lidhura me politikën”. Në raport vihet theksi tek gjykatat e korruptuara, mungesa e transparencës dhe zbatimi i dobët i kontratave. Ajo që zoti Lucio Suoto kërkon tani është pikërisht zbatimi i ligjit.

“Kjo është jetësore për vendimin tonë nëse do të qëndrojmë këtu apo jo, por edhe për çdo investim të huaj të ardhshëm në Shqipëri. Do ndiheshim të keqardhur nëse ky do ishte modeli që ky vend do t’u shfaqë të huajve. Nesër, ne do të vazhdojmë të mbetemi një nga kompanitë më të mëdha në sektorin tonë. Është tashmë në dorën e Shqipërisë, qeverisë dhe institucioneve të saj, që të provojnë se mund të përballojnë këtë nivel investimesh”, deklaron ai.

*Marrë nga “31 Minuta”, RTSH

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ali: 12/02/2020 21:34

    Si nuk Kane turp qe flasin keta pacavuret amerikane qe nuk Kane asnje duty free ne asnje aeroport te botes. Jane Dy ordinere qe bejne kontrabande ne cruise qe bejne ishujt. Mbrapa amerikaneve eshte ish ceo Castro dhe e dashura e tij Aljona zeqiri, turpi aeroporti, mjaft me me propagande boshe amerikane.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Vonesa e anulime në fluturime, 60% e udhëtimeve me probleme nga Wizz Air, mijëra qytetarë rrugëve në 2023!  ‘Air Albania’ prej kompanive më të mira

Vonesa e anulime në fluturime, 60% e udhëtimeve me probleme nga Wizz Air, mijëra qytetarë rrugëve në 2023! ‘Air Albania’ prej kompanive më të mira