Kuvendi i Shqipërisë nisi dje pasdite punimet për vitin 2026. Seanca e kthye menjëherë në kaos nga opozita, të cilët u revoltuan nga prezenca e zv.kryeministres Belinda Balluku në sallë. Në lidhje me këtë kaos analisti Red Varaku përmes një lidhje të drejtpërdrejtë në 'Shtypi i Ditës dhe Ju'  tha se kjo është e vetmja strategji që i ka mbetur opozitës në këtë krizë që po përjeton.

“Kjo është e vetmja strategji që i ka mbetur opozitës, do të jetë bllokuese në mënyrë që të kthehet në një partner në zhvillimet që Rama paralajmëroi gjatë takimit me grupin parlamentar të PS. Mendoj se janë pamje që do t’i shohim edhe në vazhdim. Ajo që bie në sy është prania e Ballukut në Kuvend, çfarë tregon se është një sinjal që paralajmëron se ajo do të mbetet si zv. kryeministre. Opozita mendon që nëprmjet këtij presioni të arrijë një marrrëveshje politike me PS, për të bërë ato ndryshimet e mëdha”, tha Varaku.

Më tej ai shtoi se pas ftesës së presidentit Donald Trump, që kryeministri Edi Rama të jetë pjesë e 'Bordit të Paqes' për Gazën, e vetmja zgjidhje që i ka mbetur PD-së është të shkojë drejt radikalizimit. Varaku theksoi se kjo ftesë gjithashtu e ka bërë copash narrativën që opozita kishte ndërtuar.

“Opozita do të shkojë drejt radikalizimit, sepse nuk ka opsion tjetër. Nuk janë më gjërat siç ishin para pak ftesës që presidenti Trump i bëri Ramës. Fakti që Rama ia doli duke marrë një lloj legjitimiteti të jashtëm, pasi po ‘vuante’ se ishte në pozita të vështira nga goditjet që ka bërë SPAK kohët e fundit, ishte deligjetimuar tërësisht sa i përket rolit të tij si kryeministër. Ishte ndërtuar narrativa se SPAK tani më me administratën e re të Trump po shkonte drejt përmbysjes së tij- në kuptimin që po i priste këmbët ku qëndronte pushteti i tij - pra Balluku, Egys Agasi ishin sinjale të rëndësishme. Me legjitimin që mori nga jashtë Rama ecën i sigurt. Kjo ftesë ka bërë copash narrativën që kishte ndërtuar opozitën. Nuk e di se çfarë narrativë tjetër do të prodhojë po deri atëherë do të kemi një radikalizim të opozitës”, theksoi ai.

Varaku nga ana tjetër komentoi edhe takimet që ish-deputeti demokrat Ervin Salianji po bën në qytete të ndryshme me demokratët, ku nënvizon se këto takime janë legjitime dhe nuk e kupton frikën e kryetarit të PD, Sali Berisha.

"Raporti që PD ka me Salianjin është reflektim i krizës së thellë ku ndodhet kjo parti  Salianji po bën takime me demokratët, ai është legjitim me atë që po bën. Ai nuk po bën asgjë që shkon kundër statutuit të PD. Ai po diskuton mbi hallet e PD-ës dhe zgjedhjet e problemeve dhe unë nuk e kuptoj frikën e PD nga Salianji. Nuk e kuptoj Berishën të shprehet në atë formë për Salianjin ndërkohë që ka qenë dikur në të njëjtat pozita si Salianji. PD ka dy male  para: të japë llogari për humbjen e zgjedhjeve dhe pse Berisha vazhdon të jetë non grata", përfundoi ai.