Të dhënat u bënë publike dje nga kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit Bujar Leskaj gjatë analizës vjetore të punës së institucionit për vitin 2014, të zhvilluar në qytetin e Vlorës. “Kemi zbuluar 11.2 miliardë lekë dëm ekonomik ndaj shtetit ose 80 milion euro. Dëmi nga 2012 deri në 2014 është 3.8 herë më i madh se vitet 2009, 2010, 2011 të marra së bashku. Kemi bërë 41 kallëzime ndaj 149 punonjësve”, tha Leskaj gjatë analizës.
Dekreti
Po dje, Komisioni Parlamentar i Ekonomisë ka rrëzuar dekretin e Presidentit Bujar Nishani që kthen për rishqyrtim projektligjin për “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, pasi sipas tij ky projektligj bie ndesh me kushtetutën. Gjatë mbledhjes së këtij komisioni, deputetja e mazhorancës Blerina Gjylameti, propozoi që në emër të qeverisë, të rrëzohet dekreti i Presidentit pasi sipas saj Kuvendi është në të drejtë të plotë në ligjin për KLSH.
Kjo është kundërshtuar nga ana e deputetit të opozitës, Ridvan Bode pasi sipas tij Presidenti ka respektuar Kushtetutën dhe prandaj duhet që mazhoranca të respektojë ligjin, dhe sipas tij të mos shkelet si në rastin e ligjit për Gjykatën e Lartë. Kjo pasi sipas tij, Kushtetuta ka përcaktuar kompetencat dhe organizimin e KLSH dhe më konkretisht sa i përket sharkimit të kreut të këtij institucioni, dhe çdo shtesë kërcënon pavarësinë e Kontrollit të Lartë të Shtetit. “Çdo shtesë kërkon ta kërcënojë pavarësinë e KLSH.
Gjersa Kushtetuta nuk e ka parashikuar shkarkimin si kryetari i Gjykatës së Lartë do të thotë që është lënë vetë ashtu. S’kemi pse bëjmë shtesa.” u shpreh Bode. Kreu i Komisionit të Ekonomisë Erjon Braçe tha se ligji i ri nuk i merr kompetencat Presidentit, lidhur me shkarkimin e kreut të KLSH duke shtuar se kjo kompetencë do të vijojë të mbetet e kreut të shtetit, por në mënyrë më të ngushtuar.
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)