Analiza/ Ra në 59.2% të PBB-së, pse zbriti borxhi ynë publik?

Analiza/ Ra në 59.2% të PBB-së, pse zbriti borxhi ynë publik?

Në fund të vitit të kaluar, për herë të parë që nga viti 2011, borxhi ynë publik zbriti në nivelet e para krizave të Pandemisë dhe të luftës në Ukrainë.

Qeveria arriti të përballonte “cunamin” e çmimeve të çmendura të energjisë elektrike në bursat evropiane në periudhën qershor-tetor 2022, pa ua rritur çmimin fundor të energjisë qytetarëve, i cili ngeli kokëfortë në nivelin 9.5 lekë për kilovat/orë.

Borxhi publik 2019-2023

Borxhi na u ul, dhe pse shpenzuam më shumë në 2019-2023!

Borxhi publik nisi të ulej, pavarësisht nga shpenzimet e jashtëzakonshme të rindërtimit nga shkatërrimet e tërmetit të 26 nëntorit 2019, që arritën në 1.2 miliardë euro.

U ul sidomos në dy vitet e fundit, duke “u ushqyer” me lekun më të fortë, me proceset thelbësore të fiskalizimit, të faturave online dhe të digjitalizimit të shërbimeve publike në 95 përqind të tyre, me mirëmenaxhimin e shpenzimeve publike, duke ulur ato jo-prodhueset, si dhe rritur në mënyrë të qëndrueshme të ardhurat tatimore.

Arsyet e uljes së borxhit publik

·         Forcimi i lekut

·         Mirëadministrimi fiskal

·         Fiskalizimi

·         Digjitalizimi

·         Ulja e informalitetit në tregun e punës

Borxhi u ul, pavarësisht politikës së rritjes së pagës minimale dhe të rrogave mesatare në administratën tonë publike.

Borxhi ynë publik zbriti në një nivel 59.2 përqind të prodhimit kombëtar më 31 dhjetor 2023. Këtë askush më përpara nuk mund ta kishte menduar, duke parë shkatërrimet nga tërmeti i 2019-es, bllokimin nga pandemia e 2020-ës, apo çmimet e çmendura të karburantit dhe ushqimeve, nga agresioni i Putin mbi Ukrainë në vitet 2022-2023.

Shqipëria-ulja më e shpejtë e borxhit publik në rajon

Niveli nën 60 përqind i borxhit publik, e vendos Shqipërinë ndër vendet që kanë ulur borxhin publik me ritmin më të shpejtë në rajon. E kemi patur borxhin publik në nivelin 74 përqind të prodhimit kombëtar në vitin e pamundur të Pandemisë nga Covid-19, vitin 2020. E patëm sërisht të lartë, mbi 72 përqind, në vitin e kufizimeve nga pandemia, vitin 2021. Arritëm ta merrnim veten në dy vitet e tjera, 2022-2023, të ndihmuar nga një bum i mirëfilltë në turizëm.

Ritmi i uljes së borxhit publik në Ballkanin Perëndimor

 Burimi: https://www.worldbank.org/en/region/eca/publication/western-balkans-regular-economic-report

Sipas Fondit Monetar dhe Bankës Botërore, Shqipëria ia doli të jetë një nga ekonomitë më rezistente në rajon, edhe pse u godit nga një “sfurk tridhëmbësh”: tërmeti i 26 nëntorit 2019, pandemia nga Covid 19 dhe inflacioni i lartë pas sulmit të Putin mbi Ukrainë dy vite më parë. Kjo qëndrueshmëri dhe rezistencë e ekonomisë sonë është zemërdhënëse edhe për perspektivën afatmesme dhe afatgjatë të saj dhe për shëndetin e financave publike në vend.

Viti 2023 ka dëshmuar një ecuri të mirë të ekonomisë, punësimit, të ardhurave dhe investimeve të huaja, duke e bërë agjencinë ndërkombëtare të vlerësimit të borxhit publik dhe performancës së ekonomive në botë, “Standard and Poor’s”, që në fund të vitit të kaluar, të rishikojë perspektivën e Shqipërisë nga e qëndrueshme, në pozitive.

Do ulet borxhi edhe këtë vit?

Ministria jonë e Financave është e angazhuar së fundmi në finalizimin e një strategjie të Menaxhimit të Financave Publike, në koordinim me Bashkimin Evropian, si një nga parakushtet themelore të përparimit me bisedimet drejt Bashkimit Evropian.

Rekomandimet që kanë dalë nga këto bisedime, së bashku me grupin e reformave që qeveria jonë pret të dakordësojë me Komisionin Evropian, si pjesë e Planit të Rritjes të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të përgatitur nga Komisioni, do të jenë shtysa të rëndësishme për integrimin e tregjeve tona dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike të vendit.

Pjesë e reformave në financat tona publike është edhe Strategjia Afatmesme e të Ardhurave, për të cilën Ministria e Financave ka punuar së bashku me FMN-në, me synim përmirësimin e administrimit fiskal dhe efektshmërinë e politikave tatimore.

Rritja e te ardhurave publike 2019-2023

Shqipëria dhe tranzicioni i gjelbër

Ekonomitë e të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian po kalojnë me shpejtësi atë që quhet “tranzicioni, kalimi i gjelbër”. Po rishikojnë të gjitha politikat e taksave, për të rënduar industritë e tyre që ndotin më shumë planetin.

Ekonomia jonë e ka më të lehtë këtë kalim dhe tranzicion, pasi ne prodhojmë energji pothuajse të pastër në 99 përqind të saj, energji nga hidrocentralet. Industritë tona më ndotëse janë ato të çimentos dhe të ndërtimit.

Prandaj dhe jemi në një pozicion të favorshëm për të realizuar atë që quhet “tranzicioni i gjelbër”, në rrugën tonë drejt bashkimit me familjen e madhe evropiane. Qeveria jonë ka vendosur objektivin e transformimit të Shqipërisë në eksportuese neto të energjisë, bazuar në zgjerimin e burimeve të rinovueshme, sidomos atyre të energjisë nga dielli dhe era.

Për një rritje gjithëpërfshirëse, Ministria jonë e Financave ka nisur një diskutim të thelluar me Bankën Botërore, për analizimin e përbërësve të mbrojtjes sociale, me objektivin për të ndërmarrë një qasje reformuese ndaj sistemit të pensioneve. Edhe politikat ndaj mbrojtjes së kapitalit njerëzor dhe nxitjes së punësimit mbeten thelbësore, veçanërisht për gratë dhe të rinjtë.

Qeveria është përqëndruar në një “sfurk” të ri, edhe ai “tridhëmbësh”, për të ecur më shpejt:  në inovacion, digjitalizim dhe përdorimin e inteligjencës artificiale. Këto tre dhëmbë “të sfurkut” duhet t’i vëmë në funksion të rritjes së produktivitetit dhe rritjes sonë të qëndrueshme ekonomike.

B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Berisha me gratë demokrate të LDG: Kjo është qeveria e Luciferit, shqiptarët kanë marrë arratinë! Ministret e Ramës pa forcë morale

Berisha me gratë demokrate të LDG: Kjo është qeveria e Luciferit, shqiptarët kanë marrë arratinë! Ministret e Ramës pa forcë morale