Institucionet kyçe të sistemit të drejtësisë në Shqipëri po shkojnë drejt procesit të reformës, me stafe të përgjysmuara,duke sjellë një numër të madh dosjesh në pritje për t’u shqyrtuar dhe të paqartë se kur mund të rikthehen në shinat normale të funksionimit.

Ndryshimet ligjore kanë futur në kolaps Gjykatën e Lartë, e cila për shkak të numrit të pakët të gjyqtarëve, (vetën 9), nuk është në gjëndje ti japë zgjidhje postulatit të drejtësisë “…Drejtësia e vonuar, është drejtësi e mohuar…”. Gjykata e Lartë, e cila duhej të kishte në organikën e saj 19 gjyqtarë, funksionon prej fillimit të tetorit me 9 gjyqtarë, pasi një pjesë gjyqtarësh u largua në muajin gusht 2017.

Në fillim të shtatorit, zyra e shtypit të Gjykatës së Lartë njoftoi mbarimin e mandatit të gjyqtarit Andi Çeliku, i cili preferoi të jepte dorëheqjen duke u larguar përfundimisht nga organika e kësaj gjykate. Në një kohë kur gjyqtarët e kësaj gjykate po firojnë një e nga një, nga ana tjetër në kryesekretarinë e Gjykatës së Lartë, numri i dosjeve të rekursuara sa vjen e shtohet, duke sjellë automatikisht ritjen e kapicës së çështjeve që presin për tu gjykuar.

Mësohet se në këtë gjykatë rregjistrohen 30 deri në 40 rekurse, ndërkohë numri i çështjeve të dala me vendim përfundimtar është i pakët. Numri i rekurseve të pranuara e dominon raportin me çështjet e gjykuara në Gjykatën e Lartë. Sipas të dhënave të kësaj gjykate në vitin 2015 Gjykata e Lartë arriti të vendimojë mbi 8 mijë dosje, ku shumica e tyre janë vendimuar nga Kolegji Civil dhe më pak nga ai Penal dhe Administrativ.

Ky i fundit,si pas të dhënave, vendimoi në vitin 2015 rreth 710 dosje gjyqësore dhe rreth 604 në vitin 2016. Për të shmangur situatën e vetë-shkatërimit, kryetari i kësaj gjykate Xhezair Zaganjori, në fillim të muajit shtator me vendimin nr. 217 të datës 4 shtator 2017 urdhëroi që pesë trupat gjyqësore tu reduktohen gjyqtarët nga 5 në 3 tre të tillë. Gerti Shella drejtuesi i qëndrës “INFOCIP” thotë se Gjykata e Lartë dhe gjyqtarët e saj janë përgjegjësit e vetëm të përmbytjes me dosje të gjykatës ku ata punojnë. “Motivet se përse gjykatësit marrin kaq shumë “lëndë të parë’ mbeten të ekspozohen prej atyre vetë, por me sa duket, ka një prirje shumë të dallueshme që ata preferojnë më shumë profilin e një gjykate fakti se të një gjykate ligji”- thotë Shella.

Këshilltarja për Median dhe Publikun në Gjykatën e Lartë Ida Vodica tha se situata është e vështirësuar, për shkak jo vetëm të mungesës së gjyqtarëve por edhe të mungesës së ndihmësave ligjorë. “Normalisht duhet të ketë dy ndihmësa ligjorë për çdo gjyqtar të Gjykatës së Lartë, por dhe kjo nuk është arritur për shkak të mosfunksionimit të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit”- tha Vodica. I pyetuar nëse duhej të futej në ligj praktika e huaj, për gjyqtarin zëvendësues Gerti Shella përgjigjet: “…kjo do të ishte një masë praktike e cila do të zbuste efektet e krijuar së fundimi nga dorëheqjet apo nga përfundimi i mandateve të gjykatësve të Gjykatës së Lartë”. 

Mësohet se gjatë vitit 2016 Gjykata e Lartë ka marrë vendim përfundimtar, për më shumë se 600 dosje. Ndërkohë në një raport të qëndrës INFOCIP evidentohen 30 çështje të shqyrtimeve gjyqësore me kohë zgjatjen më ektreme, duke arritur rekordin kohor të shqyrtimit të një dosje gjyqësore pranë Gjykatës së Lartë. Bëhet fjalë për 30 dosje, ku mes tyre një çështje i përket shtetasit Arben Frroku, kundër hipotekës së Tiranës, disa kompanive amerikane dhe dosja shumë e përfolur e shoqërisë “Saudi Bradhers Comercial Company” kundër hipotekës së Durrësit.

Mësohet se kjo dosje ka qëndruar në ekstremin e mundshëm të pritjes për tu gjykuar, pasi ka qëndruar në Gjykatën e Lartë plot 2080 ditë, duke thyer rekordin e çdo çështje tjetër që ka mbëritur në këtë gjykatë. Kjo periudhë kohe përkon me 5.7 vjet pritje nga data e rregjistrimit të çështjes në kryesekretarinë e gjykatës. Ndërkohë një tjetër dosje e kompanisë “Saudi Bradhers Comercial Company”, ka qëndruar në gjykatën e Lartë në pritje për tu gjykuar plot 1677 ditë.

Lista me 30 dosje vijon me çështjen e shtetasit Lorenc Capeli kundër Dashurije Dino etj, dosje e cila ka qëndruar plot 1696 ditë në pritje për tu gjykuar.
Pavarësisht se gjykatësit shqiptarë të kësaj gjykate vendimojnë më shumë çështje në një muaj të vetëm krahasuar me gjykatat e vendeve më të zhvilluara europiane si Gjermania, Franca apo Italia, përsëri vonesat janë një tipologji shumë e shprehur në rastin shqiptar.

Sipas një studimi të ndërmarrë nga qëndra “INFOCIP”, Gjykata e Lartë ka prirje të theksuar për të pranuar rekurset që paraqiten pranë saj.
“Qasja jo-konservatore në këtë drejtim e dallon atë qartazi nga gjykatat e tjera supreme të vendeve të tjera, të cilat pranjnë vetëm ato rekurse që i shërbejnë unifikimit të praktikës gjyqësore”- thotë drejtori i kësaj qëndre Gerti Shella. 

Avokati i njohur Sokol Azizaj, njëherësh dhe ish-ministër i Drejtësisë pohon se në një vend ku gjykatat dhe politika nuk respektojnë të paktën kohën e hapësirën e mandatimit nga zgjedhja, ka mbaruar demokracia e ligjit. “…nuk mund të thuash asgjë për një gjykatë ku brenda saj ka anëtarë që po ushtrojnë një mandat të dytë pa zgjedhje, sepse nuk janë zëvendësuar”- thotë Azizaj.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com