Gjykata Kushtetuese ka mbyllur shqyrtimin gjyqësor për padinë e Partisë Demokratike kundër dekretit të Presidentit Bajram Begaj për emërimin e ministres virtuale të Inteligjencës Artificiale, “Diella”, dhe është tërhequr për vendim.

Më 23 shtator 2025, deputetët demokratë iu drejtuan Kushtetueses me padi duke kundërshtuar dekretin e Bajram Begajt që në nenin 2 të tij autorizonte Kryeministrin Edi Rama për funksionimin e ministrisë virtuale.

Demokratët argumentojnë se krijimi i një “ministri virtual” është në tejkalim të kompetencave të Presidentit të Republikës, cenon kompetencat e Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave. 

“Caktimi i përgjegjësive të reja nga Presidenti për Kryeministrin vjen në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet”, thuhet në argumentimin e PD.

Sipas tyre, vetëm Kuvendi ka të drejtën të miratojë ndryshime ligjore apo kushtetuese që prekin kompetencat dhe përgjegjësitë e Kryeministrit dhe qeverisë.