Analizë për situatën politike
"Të njohësh të panjohurën"

Analizë për situatën politike<br />
Gdhiu dita dhe David McAllister e Knut Fleckenstein u hypën shkallëve të aeroplanit, që do i shpinte andej nga kishin ardhur. Të ftuarit e rëndësishëm u përcollën pa protokoll. Ashtu si për qytetin dhe për mua filloi një dite e re. Me dy gazeta nën sqetull, mëngjezi më gjeti me “spirancën” e hedhur në barin që frekuentoj dhe futur në qerthullin e kulturës së brezit tim, kafe dhe shtyp, filloj leximin nga komentet dhe opinionet. Nga tavolina përbri një i njohur më drejton pyetjen: a do vijnë prapë këta europianët? Ndoshta, kur të mblidhen armët, nxitoi t’i gjegjej duke qeshur shoku i tij i tavolinës.

 Humori është gjysma e të vërtetës-thotë populli, dhe vërtet, brenda këtij humori fshihet edhe fantazma e luftës me të cilën kërcënon pozita vendin. Tani shfaqet si gjuhë verbale e trashur nga urrejtja, nesër...ata që kërcënojnë e dinë çdo bëjnë. Sapo thanë se javën e ardhshme do luftohet me mosbindje civile, por mbetet e panjohur me ç’armë do luftohet më tej. Përshkallëzim thonë!? Do t’i përfshijnë në ngjitjen e shkallëve armët, siç i përdorën në sulmin ndaj institucioneve në shtatorin e 1998-ës? Vranicki jo e jo, por as Tahiri e ministra të tjerë nuk ka mundur dot t’u heqë nga duart shqiptarve armët që u dha shteti i dështuar i 1997-tës dhe që është i gatshëm t’jua japë përsëri Berisha. A mund të njohësh dot vallë si do i orientojë opozita “paqësore” përkrahësit e saj, mbajtës tradicionalë të armëve? Nuk është vetëm e dënueshme por dhe turp të mbash qytetarët e tu me ankthin e pasigurisë. Dhe cilët, pikërisht ata që 20 vjet përpara e shijuan hidhur destabilizimin dhe ndërsa vetë organizatorët, të paaftë e të çoroditur u fshehën si minjtë. Për vëndin e lënë në kaos ftuan ushtritë e huaja për ta vënë në kontroll njerëzit e territorin.
 
Dimë se kryeministri nuk jep dorëheqje. Ai nuk ka pse i tradhton votuesit e tij e të Partsë Socialiste, për t’i lënë vendin një qeverie teknike. Ajo që nuk dimë është e pafund dhe të orvatesh të njohësh të panjohurën, të dish çdo ndodhë është pothuaj e pa mundur, por gjithsesi mund të çelësh dritare te sjelljet e deritanishme për të parashikuar. Te politika dhe roli i saj kam parë gjithnjë si detyrë shërbesën ndaj njerëzve. Këtij qellimi i përmbahen dhe formatet “Oponion” të TV-ve kombëtare. Ndoqa paksa njërën prej tyre dhe dëgjoja të ftuarin e përhershëm të anës së Partisë demokratike që këmbëngulte të argumentonte plot pathos se s’duhet ngatërruar shteti me pushtetin, ato janë e përfaqësojnë struktura të ndryshme; të mos mendohet se kur sulmohet pushteti me bllokime rrugësh, mosbindje civile apo me shkelje të normave, rregullave të sjelljes e dhunim të qytetarëve, u sulmoka shteti. Ai fliste dhe mua më ndërmendeshin pinjollët që duheshin shpëtuar përmes kësaj ligjërate e që përgatiste terrenin për dhunën e nesërme si mjet presioni dhe alternativë e nesërme marrëveshjeje.
 
 Mosbindja civile po shndërrohet në armën bazë që pason kërkesat e opozitës. Them e shkruaj “Opozitës”, por në të vërtetë janë vetëm dy veta, drejtuesi dhe ish drejtuesi i partisë e nuk shoh të publikohet ndonjë vendim kolegjal nga organet drejtuese, mesa duket të nëpërkëmbura. Organizatore dhe media afër tyre u pëlqen të bëjnë lidhje nga më të çuditshmet për ushtrimin e kësaj të drejte. “Demokratike” shprehen ata. Nuk përtojnë të sjellin praktikat gandiste që i drejtoheshin pushtimit britanik, ato të Solidarnosit që i drejtoheshin diktaturës komuniste apo mosbindjet civile në Burma që i drejtoheshin diktaturës ushtarake. A mundet që në një sistem demokratik të praktikosh mosbindjen civile? Përgjigjen ta jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në të cilën është i përcaktuar kuadri bazë i dëshiruar për një qeverisje demokratike, ku janë të përcaktuara si qëllimet ashtu dhe kufizimet në fuqinë e qeverisë; përcaktohen koha e zgjedhjeve, mjetet dhe organet e pushtetit ekzekutiv e gjyqësor, që ndjekin dhe kontrollojnë. Nëse një forcë politike mëton të këmbëngulë dhe përmes mosbindjes civile të destabilizojë, duhet të thotë e të provojë se ku është shkelur kushtetuta, ç’të drejta i janë mohuar dhe shkelur opozitës, ç’ndërhyrje politike dhe ligjore është bërë arbitrarisht në kushtetutë e që cënon sistemin demokratik? Mos pranimi apo injorimi i një kushtetute që mbron një sistem demokratik mund të ndodhë përpos se në rastet kur dhunimi i saj bëhet për të sjellë një pushtet tjetër që shmang procedurat demokratike. Më së paku, këtyre njerëzve duhet t’u mungojë liria kur ftohen në mosbindje civile. Këta e këto lloj sjelljesh bota demokratike i emërton si shfaqje në horizont të diktatorëve e diktaturës.
 
 Në fokus të rrëzimit të qeverisë opozita ka vënë dy çështje themelore: vëndi është nën pushtetin e drogës dhe ky pushtet do vjedhë votimet ndaj është i pabesueshëm e nuk mund të shkohet në zgjedhjet parlamentare me të!!!? Për shumëkënd është e paparashikueshme se pikërisht këta, nëna e këtyre krijesave, do t’i zgjidhnin drogën dhe vjedhjen e votave si argument:
 
Droga është kultivuar atje-këtu në vitet ’90, por mori përmasa institucionale me fshatin që votonte Partinë Demokratike e që djemtë e saj i kish doganierë në pikën kufitare Kakavi. Lazarati i dha emrin një malli, “Made in Lazarat”, që njihej e kërkohej kudo nga përdoruesit e thekur të saj. Lazarati mbrohej “me ligj”, nën hijen  e pushtetit berishjan. Është e panjohur sasia që ajo prodhonte, por njihen shifra të publikuara që variojnë në vlera 2 deri 4 miliard euro. U shkatërrua baza kriminale në fshat, por nuk u shkatërrua kultura dhe organizimi, i cili nuk mund të mos kish përhapje përmes shpërndarjes së farërave dhe trafikut, që kish selitë e saj të ndërtuara e sendërtuara tek ne e vëndet fqinje.
 
Vjedhja e votave dihet se ka mësë paku tre precedentë, që i përkasin të treja Partisë Demokratie. Së pari, pasi kish ftuar përvojën e humbjeve në zgjedhjet lokale dhe referenumin për kushtetutën, për zgjedhjet e 26 majit 1996 u morën masa që të furnizoheshin me fletë votimi të tepërta (jashtë komisioneve zgjedhore) gjithë kryetarët e degëve të Partsë Demokratike. Policia kish detyrat e saj, militantët të tyre. Para këtij represioni fashist Partia Socialiste bojkotoi. Se çfarë ndodhi dhe sa i kushtoi kjo Shqipërisë dihet? Së dyti, fallsifikimi që ndodhi në zgjedhjet e 2009-ës, përmes blerjes i dokumenteve zgjedhore në një qark, gjë që çoi në ndryshim rezultati. Së treti, ndryshimi arbitrar i ligjit për fletët e hedhura “gabim” në zgjedhjet lokale të Tiranës.
 
Askush nuk mund të dijë gjithçka, por këto raste, krijesa të veprimtarisë së PD-së, i dimë mirë dhe nuk ka nevojë të hiqesh si i paditur. Këto të treja mjaftojnë dhe s’do ishte nevoja të përmendeshin krijesat strukturore të tjera, që kanë qenë pronë e PD-së, si loja me listat emërore të votuesve, listat e emigrantëve, certifikatat dhe zyrat e gjendjes civile, autobuzë me doganierë që shkonin e votonin në 3-4 qendra votimi, shtetas të Kosovës që nxitonin të vinin të votonin, etj. E shikoni pra se kush e ka mbjellë farën? Këto i njohim, juve, “Republika e Re”, ju njohim. Ato që s’njohim dhe që ende si dimë, janë: kujt i shërbeni?

Redaksia Online
B.B/Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Protestë në Beograd kundër presidentit Vuçiç dhe qeverisë së tij

Protestë në Beograd kundër presidentit Vuçiç dhe qeverisë së tij