Hungaria ka zgjedhur presidentin e ri të vendit. Andras Baka, ish-gjyqtar i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe ish-kryetar i Gjykatës Supreme të Hungarisë, u zgjodh në krye të shtetit me 140 vota pro dhe 6 kundër, nga 146 deputetë që morën pjesë në votim. Ai u propozua nga partia Tisza e kryeministrit Peter Magyar dhe pritet të bëjë betimin më 19 gusht.
Zgjedhja e Bakës shihet si një tjetër distancim nga periudha 16-vjeçare e qeverisjes së Viktor Orban. Në vitin 2011, ai u shkarkua tre vjet para përfundimit të mandatit si kryetar i Gjykatës Supreme, ndërsa në vitin 2014 Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendosi se largimi i tij lidhej me kritikat që kishte bërë ndaj qeverisë dhe se i kishte cenuar lirinë e shprehjes. Qeveria e Orban i ka mohuar këto pretendime.
Partia Tisza e ka përshkruar Bakën si një figurë që ka mbrojtur shtetin e së drejtës, pavarësinë e gjyqësorit dhe ndarjen e pushteteve. Edhe pse posti i presidentit në Hungari është kryesisht ceremonial, kreu i shtetit ka të drejtën të rikthejë ligjet në Parlament për rishqyrtim ose t'i dërgojë ato në Gjykatën Kushtetuese.
Në fjalën e parë pas zgjedhjes, Baka bëri thirrje që ndryshimi politik të mos kthehet në hakmarrje ndaj kundërshtarëve.
Ai kritikoi polarizimin e thellë politik dhe shoqëror të krijuar gjatë viteve të fundit, por theksoi se çdo abuzim i mundshëm ligjor apo financiar duhet të hetohet dhe, kur është e nevojshme, të ndiqet penalisht.
"Ky vend nuk mund të ndërtojë një të ardhme të përbashkët ndërsa qytetarët e tij e shohin njëri-tjetrin si armiq", deklaroi presidenti i zgjedhur.








Komente
Komento