Sulmet e ushtrisë izraelite vijuan edhe këtë të shtunë në Gaza, duke lënë të paktën 21 palestinezë të vdekur. 12 prej tyre, sipas agjencisë së lajmeve Uafa, u vranë në përpjekje për të marrë ndihma në korridorin Netzarim. IDF nisi sulmet në zona të ndryshme të Gazës, ku në shumicën e tyre kreu hedhje granatash. Sipas burimeve mjekësore lokale, të paktën pesë anëtarë të së njëjtës familje u vranë në një sulm ndaj shtëpisë së tyre në Al-Zaëayda, në qendër të enklavës, ndërsa pesë persona të tjerë u vranë në një sulm me dron në një kamp refugjatësh në veri të Khan Younis, citon agjencia Uafa.
Ushtria izraelite këtë të shtunë, në një deklaratë, tha se sulmet do të vijojnë pa u ndalur në rast të mos arritjes së një marrëveshjeje me Hamasin. Ndërkohë, CNN raportoi se vendimi i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në lidhje me një veprim të mundshëm ushtarak në Rripin e Gazës është shtyrë për javën e ardhshme. Një burim pranë Netanyahut i tha medias amerikane se plani për aneksimin do të hyjë në fuqi nëse Hamasi nuk pranon propozimet për armëpushimin, bisedimet për të cilin janë braktisur për momentin. Këtë javë Hamasi i la negociatat duke kërkuar përmirësimin e situatës humanitare në Gaza.
Me negociatat që kanë ngecur ndërkohë, organizatat humanitare trondisin me bilancet e tyre. UNICEF tha se që nga fillimi i luftës në Gaza janë vrarë 18 mijë fëmijë, me një mesatare të frikshme prej 28 fëmijësh në ditë. Zëvendësdrejtori ekzekutiv i UNICEF, Ted Ahciban, tha pas një misioni në Gaza se në Gaza praktikisht është vrarë një klasë me fëmijë, të cilët nuk janë më atje, ndërsa shumë nga pjesa e mbetur kanë humbur të dashurit e tyre, ata janë të uritur, të frikësuar dhe të traumatizuar.










Komente
Komento