Ditën e sotme mbi 90 anëtarë të shoqatës së 'Pëllumbave të Postës 2003', kanë protestuar në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Thanës pasi kreu KOKSH Fidel Ylli i është drejtuar ditë më parë doganave për të ndaluar daljen jashtë Shqipërisë të pëllumbave garues.
Kujtim Beqja drejtuesi i garës u shpreh se nga dogana nuk është paraqitur asnjë dokument përkatës që tregon që shoqata ka shkelje për të mos kaluar, por vetëm një formë presioni për anëtarët që të regjistrohen në një tjetër shoqatë me lidhje me kreun e KOKSH.
Arben Piroli nënkryetar i shoqatës theksoi se shoqata është jofitimprurese dhe se anëtarët shpenzojnë shumë para për rritjen dhe stërvitjen e pëllumbave, ndërkohë mbyllja e doganës për ta është një dëm kolosal.
Përfaqësuesi ligjor Hysen Rama thekson se veprimet e doganës të cilat orientohen tek kërkesa e KOKSH janë në kundërshtim me ligjin dhe në tejkalim te kompetencave për këtë të fundit. Sipas tij dogana duhet të përgjigjet vetëm për kontrollet ligjore të dokumentacionit veterinar dhe teknik.
Pas afro 1 orë të bllokuar në doganën e Qafë Thanës dhe debateve është bërë e mundur kalimi i mjetit me 3800 pëllumba të cilët do të garojnë nga Beogradi në drejtim të Shqipërisë.
Komente










