Kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi u largua zyrtarisht nga koalicioni me PS dhe lidhi marrëveshje me Partinë Demokratike. Lulzim Basha zhvilloi sot një takim me Idrizin në prani të ish-presidentit të Asamblesë Parlamentare të OSBE, Riçardo Migliori, ndërsa ata kanë firmosur edhe një marrëveshje prej 6 pikash e cila parashikon parametrat e bashkëpunimit politik të të dy forcave politike përpara zgjedhjeve vendore të 2019-ës. 

Pikat kryesore të kësaj marrëveshje janë angazhimi i përbashkët për zgjidhjen e çështjes Çame, çështje për të cilën Idrizi kritikoi Ramën se mashtroi shqiptarët në negociatat me Greqinë. Ai tha se gaboi kur i besoi Ramës zgjidhjen e kësaj çështje. Pikë e rëndësishme e marrëveshjes PD-PDIU është edhe ndarja e politikës nga krimi, kthimin e normalitetit politik përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme etj.,  


Marrëveshja PD-PDIU

6 PIKAT E MARRËVESHJES PD-PDIU

1. Rikthimin e normalitetit politik e institucional në vend, duke krijuar kushtet për ndarjen e politikës nga krimi, që po rrënon çdo standart demokracie në vend.

2. Krijimin e kushteve për zgjedhje të lira, të drejta e të ndershme, ku qeveria të dalë nga vota e lirë e shqiptarëve dhe jo nga skemat mafioze dhe lidhja me krimin, që ka deformuar vullnetin e shqiptarëve.

3. PD dhe PDIU angazhohen për zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme dhe vendore me qëllim rikthimin urgjent të normalitetit në vend dhe ndarjen e sistemit politik nga fenomeni i blerjes së votës dhe manipulimit të saj.

4. PD dhe PDIU angazhohen për zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve të Çamërisë ne te gjitha dimensionet e saj.

5. PD dhe PDIU angazhohen për fuqizimin e ekonomisë, duke suguruar lirinë e sipërmarrjes, konkurencës dhe mundësive për të gjithë.

6. PD dhe PDIU angazhohen për një mirëqeverisje sa më pranë qytetarëvë, të përkushtuar për zgjidhjen e problemit të papunësosë, për rritjen ekonomike, luftën pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.