Një shqiptar i dënuar për vrasje e ka humbur betejën e bllokimit të ekstradimit nga Anglia pasi u arrestua në 10 Dhjetor 2024, në bazë të një urdhri ndërkombëtar arresti lëshuar nga Interpol Tirana.
Nga vendimi i gjykatës të ekstradimeve City of Westminster Magistrate Court, siguruar nga gazetari Top Channel, Muhamed Veliu, mësohet se kërkesa e drejtësisë shqiptare është pranuar për ta ekstraduar Pëllumb Lleshin.
Gjykata ka pranuar argumentet e Amanda Bostock se përse Lleshi duhet t’i vihet në dispozicion të drejtësisë shqiptare për të vuajtur një dënim prej 19 vitesh dhënë në mungesë.
Ndërkohë argumentet e Joel Smith KC dhe Louisa Collins të cilët mbronin Pëllumb Llleshin, nuk e kanë bindur gjykatën për të ndaluar ekstradimin. Tashmë vendimi gjykatës i ka shkuar për firmë sekretares së shtetit Shabana Mahmood.
Megjithëse Llleshi ishte person në kërkim nga drejtësia shqiptare sipas vendimit të gjykatës disponuar nga Top Channel ai në vitin 2014 u akuzua për plagosje me dashje dhe përdorim dokumenti të falsifikuar dhe mori një dënim me kusht që e kishte zbaruar.
Në mars 2011, Gjykata e Elbasanit ka shpallur fajtor Pëllumb Lleshin bashkë me pesë të bashkakuzuar për vrasjen e emigrantit shqiptar Bilbil Hila ndodhur në vitin 2003 në Greqi.
Ky vendim u mor pasi prokuroria e Elbasanit kishte nisur procedimin penal kundër të pandehurve Kasem Vrapi, Atmirant Dragoti, Ilia Pire, Eduart Pepa dhe Pëllumb Lleshi.
Atë Kohë prokurori Elvin Gokaj tha se ky procedim penal nisi mbi bazën e kallëzimit të të atit të viktimës Bajram Hila me banim në fshatin Katund i Ri –Elbasan, i cili i paditi pesë të pandehurit për vrasjen e të birit Bilbil Hila në 24 nëntor të vitit 2003, një vrasje e ndodhur në vendin e quajtur “Anaviso” në Greqi.
Sipas organit të akuzës të pandehurit Kasem Vrapi, Atmirant Dragoti, Ilia Pire, Eduart Pepa dhe Pëllumb Lleshi në bashkëpunim kanë goditur e masakruar me mjete të ftohta si shufra druri, kaçavida, shufra hekuri etj., viktimën Bilbil Hila duke i shkaktuar vdekjen.
Gjykata e Elbasanit në seancën e datës 2 mars 2011 vendosi deklarimin fajtor të të pandehurve duke i dënuar ata për konsumim të veprës penale të vrasjes me paramendim.
Gjykata e Elbasanit dënoi me 20 vjet burg Kasem Vrapin; me 19 vite burg Pëllumb Lleshin; me 18 vjet burg Eduart Dragotin; me 17 vite burgim Ilia Piren dhe 16 vjet Eduart Pepën, për vrasjen me paramendim Bilbil Hilës të kryer në bashkëpunim.
Sipas prokurorisë kjo çështje kishte patur vështirësi në marrjen e provave nga shteti grek, nga numri i madh i të pandehurve të dënuar për një vrasje dhe pranimi i kërkesave të prokurorisë për fajësi dhe masë dënimi nga gjykata./Top Channel








Komente
Komento