Voyager-1 është bërë objekti i parë i krijuar nga dora e njeriut që largohet nga sistemi ynë Diellor. Shkencëtarët thonë se instrumentat e sondës tregojnë se ajo ka kaluar përtej flluskës me gaz të diellit tonë dhe po lëviz nëpër hapësirë ndërmjet yjeve.

Lëshuar në 1977, ajo u dërgua fillimisht të studionte planetet më të largëta të Sistemit Diellor, por më pas rrugëtimi i saj thjesht vazhdoi. Deri më sot, një nga misionet më të vjetra të NASA-s është gati 19 miliardë kilometra larg planetit tonë. Distanca është kaq e madhe sa që duhen 17 orë që sinjali i radios i dërguar nga sonda, të arrijë në Tokë.

“Kjo është vërtet një moment historik të cilin kemi shpresuar se mund t’a arrinim kur e nisëm këtë projekt më shumë se 40 vjet më parë. Mund të krahasohet me hapin e parë të hedhur në Hënë”- tha prof. Ed Stone, udhëheqës i grupit të shkencëtarëve në këtë projekt.

Sipas prof. Sër Martin Rees, Kalimi i kufirit i cili njihet teknikisht si heliopauza është një arritje e jashtëzakonshme: “Është tërësisht befasuese se si një artifact kaq i brishtë, i bazuar në teknologjinë e viteve ’70, mund të sinjalizojë prezencën e saj nga një disatancë kaq e largët”.

Voyager- 1 u nis nga toka në 5 shtator 1977. Sonda nuk do t’i afrohet asnjë ylli tjetër për të paktën 40 mijë vjet, megjithëse lëviz me 161 mijë kilometra/orë.
 
Redaksi online
(ed/ac/shqiptarja.com)