Sa herë që interpreton, mbi pianon e saj ndodhen një palë këpucë të kuqe! Për dikë mund të jenë thjesht një detaj, por për Giuseppina Torre-n, ato janë një histori.

Janë zëri i grave që nuk mundën të flasin, kujtimi i atyre që nuk janë më dhe, mbi të gjitha, simboli i një hapi të parë drejt lirisë.

Pas kësaj pianoje nuk qëndron vetëm një artiste, por një grua që për vite me radhë jetoi në heshtje me dhimbjen e një dhune të zgjatur në kohë, dhe që një ditë vendosi të marrë sërish në duar jetën e saj. Pikërisht këtë jetë, ajo rrëfeu mbrëmjen e së enjtes në skenën e Liceut Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, ku pianistja dhe kompozitorja italiane solli “La Forza di Rinascere” (Forca për të Rilindur).

Mbrëmja nuk ishte thjesht një koncert, por edhe një rrëfim. Tingujt e pianos u ndërthurën me fragmente nga libri i saj “Un piano per rinascere”, të interpretuara nga aktorja Ina Kollçaku. Përmes muzikës dhe fjalëve, publiku nuk dëgjoi vetëm historinë e një pianisteje, por historinë e një gruaje që zgjodhi të mos heshtë më.

“Ishte vërtet një koncert, sepse falë leximit që Ina Kollçaku u bëri disa fragmenteve të librit tim, publiku pati mundësinë të hynte në historinë time. Përmes gërshetimit të fjalëve dhe muzikës, publiku mundi të jetonte historinë time. Pas koncertit pata mundësinë të takoja disa gra që u afruan vetvetiu për të më treguar historinë e tyre. Sepse historia ime nuk është vetëm historia ime, por është historia e shumë grave.”, thotë pianistja Giuseppina Torre për “Report TV”.

Pikërisht këtu qëndron edhe një prej arsyeve pse Giuseppina vendosi ta tregojë historinë e saj. Për vite me radhë, pas imazhit të një gruaje të qetë dhe gjithmonë të buzëqeshur, fshihej një realitet krejt tjetër. Një jetë brenda katër mureve, ku dhimbja ishte bërë pjesë e përditshmërisë.

Në vitin 2015, ajo mori vendimin që do t'i ndryshonte jetën: të denonconte ish bashkëshortin me të cilin kishte dhe një djalë dhe të largohej nga marrëdhënia abuzive. Rruga drejt lirisë nuk ishte e menjëhershme. Ishte një proces. Dhe në këtë proces, muzika ishte sërish aty.

“Pianoja në fillim ishte shoku im i lojërave. Ishte një dashuri e vërtetë me shikim të parë. U dashurova me pianon që në moshën 4-vjeçare. Më vonë kuptova se pianoja ishte për mua si një person te i cili mund të rrëfeja gjithçka. Është shoqja ime besnike e jetës. Për mua ka qenë shpëtimtare dhe muzika ishte ishulli im i lumtur ku strehohesha çdo ditë. U kapa tërësisht pas muzikës dhe pianos. Pasioni im më shpëtoi jetën.”, thotë Torre.

Dashuria për pianon kishte nisur shumë herët, që kur ishe një vajzë e vogël e turpshme, e cila gjente qetësi pranë instrumentit. Më pas, Giuseppina u bë pianiste, kompozitore dhe një artiste e njohur edhe përtej Italisë. Në muzikën e saj do të shkrihej gjithçka që kishte përjetuar: melankolia, dhimbja, por dhe pasioni dhe dëshira për të jetuar.

“Muzika ime është historia ime, sepse te muzika ime pasqyrohet gjithçka që kam jetuar. Në muzikën time ka melankoli dhe pasion, dhe historia ime pasqyron atë që është edhe personaliteti im. Përmes muzikës pata së pari guximin ta tregoja këtë histori timen mes notave.”, vijon pianistja.

Një muzikë gati kinematografike, e tillë që krijon imazhe dhe histori, kompozimet e krijuara nga Torre kanë gjetur vend edhe në filma dokumentarë. Një prej momenteve të rëndësishme në rrugëtimin e saj ishte edhe suksesi në Shtetet e Bashkuara. Kompozimi “Silenzio delle Stelle” (Heshtja e Yjeve), i shkruar në një prej periudhave më të errëta të jetës së Giuseppinës, i solli një prej çmimeve të para ndërkombëtare.

Më pas erdhi një tjetër kthesë: Ftesa për të shkruar muzikën e dokumentarit të bazuar në librin e Papa Françeskut, “Ideja ime për artin”. Fillimisht ajo tha jo. Por një fjali ndryshoi gjithçka.

“Papa Françesku shkruante: ‘Asnjë njeri nuk mund ta bëjë një njeri tjetër të ndihet si një mbeturinë’. Në atë moment unë ndihesha si një mbeturinë. Kjo frazë ishte ndriçuese dhe në të njëjtën kohë ngushëlluese. Ishte sikur të më hiqej një peshë nga zemra. Që nga ai moment, falë edhe Papa Françeskut, rinisa të shkruaja muzikë dhe të tregoja për veten time.”, thotë pianistja Torre.

Sot, historia e saj është edhe në faqet e një libri, “Un piano per rinascere”, shkruar së bashku me gazetaren e “Corriere della Sera”, Barbara Visentin. Ky libër është një tjetër mënyrë me të cilën ajo përballet me të kaluarën dhe rikthen kujtime, të shtyra në heshtje për vite të tëra.

“Të shkruaja këtë libër ishte një rrugëtim i fortë, por ishte i rëndësishëm. Ishte një katarsis. Përmes shkrimit, përmes hedhjes e zaza mbi të bardhë të rrëfimit dhe përvojës sime, ishte diçka çliruese. Dhe tani vërej se shumë gra, falë leximit të këtij libri, po marrin guxim dhe po kuptojnë se përtej dhimbjes ka një jetë.”, vijon pianistja.

Dhe janë pikërisht këto këpucë të kuqe që e shoqërojnë në çdo skenë e udhëtojnë me të që prej vitit 2022.

“Këpucët e kuqe përfaqësojnë të gjitha ato gra që nuk kanë më zë, që nuk janë më mes nesh, por janë edhe simbol i hapave drejt ndryshimit. Ato përfaqësojnë edhe hapin tim të parë që bëra drejt lumturisë, drejt rindërtimit, drejt të jetuarit të një jete të qetë.”, thotë artistja.

Në Tiranë, Giuseppina nuk solli vetëm koncertin dhe librin. Ajo u takua edhe me artistë të rinj, duke zhvilluar një masterclass për të ndarë me ta, atë që ka mësuar gjatë rrugëtimit të saj, pasi për të, muzika nuk është vetëm teknikë, por është emocion, komunikim dhe guxim për të treguar veten.

“Muzika nuk është thjesht një ekzekutim i përsosur notash, por është edhe t'i transmetosh dëgjuesit një pjesë nga vetja.”, shprehet Giuseppina Torre.

Rruga e saj nuk ka qenë e lehtë as si nënë. Pas largimit nga marrëdhënia e dhunshme, ajo zgjodhi të mos lejonte që dhimbja e saj të përcaktonte jetën e të birit.

“Çdo mëngjes zgjohesha me buzëqeshje. Djali im më shihte të qetë. Brenda meje kishte dëshpërim, por ne të dy u morëm nga dora dhe ndihmuam njëri-tjetrin me shumë dashuri dhe kujdes. Për këtë jam shumë e kënaqur, sepse ndërtuam momentet tona të lumtura.”, thotë Torre.

Sot ajo thotë se ka mësuar edhe të bashkëjetojë me vetminë. Jo sepse nuk ka njerëz pranë, por sepse ka rigjetur veten.

“Ndihem shumë mirë edhe vetëm. Në vetmi nuk ndihem vërtet e vetmuar, sepse kam rigjetur në radhë të parë veten time dhe kam rigjetur shumë njerëz që më duan të mirën.”, vëren pianistja.

Nga një vajzë që u dashurua me pianon në moshën katërvjeçare, te një grua që e gjeti forcën për t’i mbijetuar dhunës, dhe për të nisur nga e para, historia e Giuseppina Torre-s nuk mbaron me të kaluarën. Edhe sot, në këtë stol të kuq, ajo flet për kurajon.  Në çdo notë që shkruan dhe në çdo skenë ku ngjitet ajo rrëfen historinë e saj.

Pas Tiranës, rrugëtimi i saj sonte do të vazhdojë në Vlorë, ku do të tregojë se pas çdo dhimbjeje ekziston gjithmonë forca për të rilindur!