ANKARA, 27 dhjetor /ATSH-AA/ - Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan në fjalimin e tij në një simpozium në Ankara foli për ngjarjet e fundit në Turqi me theks të veçantë për arrestimin e personave të lidhur me të ashtuquajturin "shteti paralel" si edhe për kritikat e Bashkimit Evropian drejtuar Ankarasë, njoftoi agjencia turke e lajmeve, Anadolu Agency (AA).
"Si askund në botë mediat nuk gëzojnë kaq liri si në Turqi. Gëzojnë aq shumë liri saqë mund të bëjnë edhe ofendime që, zakonisht, vendet demokratike nuk i tolerojnë. Këtë e përjetoj personalisht, po ashtu edhe familja ime. Fyerjet të cilat i bëhen familjes time nuk bëhen askund në botë. As në SHBA kjo nuk mund të ndodhë", tha Erdogan gjatë simpoziumit "Përsëri një Turqi e re dhe e madhe".
"Kundër Turqisë zbatohet një propagandë e paparë", theksoi ai.
Erdogan tha gjithashtu se BE-ja duhet të përqëndohet më shumë në gjetjen e një zgjidhjeje për racizmin.
"Në vend që Evropa të na kritikojë ne, le të zbardhë rastet e pazbuluara në BE. Në vend që Evropa të kritikojë Turqinë le të gjejë zgjidhjen për racizmin. Turqia nuk është delja e zezë e unionit", theksoi presidenti turk Erdogan./ a.jor.