TIRANË - Bllokohen punimet në bulevardin e ri të Tiranës nga stacioni i trenit në drejtim të Paskuqanit. Ka qenë Drejtoria e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar që ka marrë këtë vendim, pas ankesave të bëra nga qytetarët.  
 
“Bazuar në ankesat e shumta dhe të herëpashershme të qytetarëve të Tiranës që përfshihen në zonën e ndërtimit të Bulevardit të Ri, të paraqitura në Prefekturën e Tiranës - INUK pezulloi punimet, deri në verifikimin e dokumentacionit tekniko-ligjor në të mirë të sqarimit të situatës”, bën të ditur INUK në një njoftim për median.
 
Sipas drejtorisë së INUK, “ankesat e qytetarëve ndaj bashkisë së Tiranës kanë të bëjnë kryesisht me mosvlerësimin dhe për rrjedhojë moskompensimin e drejtë të pronave që do të prishen”.
 
“Ankesa, që janë shprehur publikisht edhe në protestat e organizuara nga këta banorë ndaj bashkisë së Tiranës”, thuhet në njoftimin e bërë nga INUK.
 
Në fund thuhet se, “INUK garanton shqyrtimin me korrektësi dhe profesionalizëm të çështjes në përputhje me legjislacionin e Republikës së Shqipërisë”.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)