Gjykata Kushtetuese ka kaluar në seancë padinë e Ajola Xoxës dhe zyrës së avokatisë Partner Law për kthimin e sendeve të saj personale që i janë sekuestruar nga SPAK.
Bashkëshortja e kryebashkiakut Veliaj, kërkon rrëzimin e vendimeve të gjykatave për t’i mbajtur sendet e saj të sekuestruara, si pjesë e hetimit nga SPAK.
Sipas Xoxës, kontrollet dhe sekuestrot në banesën dhe bizneset e saj shkelin parimet e një procesi të rregullt ligjor.
Në maj të vitit të shkuar, Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliajt, për të marrë pas telefonin dhe sendet e tjera.
SPAK e akuzon Ajola Xoxën për “ Korrupsion pasiv” në 9 raste në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, “Pastrim parash”, “Mosdeklarim pasurie” dhe “Fshehje e të ardhurave”.
Dosja në ngarkim të saj po gjykohet në themel nga GJKKO së bashku me kryebashkiakun Erion Veliaj e disa biznesmenë të tjerë.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Komente










