Gjykata e Posaçme e Apelit nuk e ka pranuar kërkesën e Erion Veliajt i cili kundërshtoi vendimin e GJKKO për pezullimin e afateve të paraburgimit.
Mbrojtja paralajmëroi rekurs në Gjykatën e Lartë teksa arsyeton se Veliaj nuk ka përbërë shkak për shtyrjen e seancave, pasi në një rast ka munguar avokati Maksim Haxhia që mbron Ajola Xoxën, dhe në një rast tjetër, avokati i një të pandehuri tjetër.
Në dy seancat me objekt të njëjtë, Veliaj nuk ishte i pranishëm, por u përfaqësua nga avokati Plarent Ndreca. Për Veliajn dhe avokatët e tij, pezullimi i afateve është antikushtetues, janë shprehur ata më herët.
Seancat u zhvilluan dy javë përpara se Gjykata e Lartë të shprehet mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese që riktheu për rishqyrtim çështjen e masës së sigurisë për kryetarin e Tiranës.
Avokatët kërkojnë ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, duke argumentuar se pezullimi i afateve të paraburgimit cenon të drejtat individuale dhe mban në qeli persona që nuk kanë asnjë përgjegjësi për vonesat.
Qëndrimi në paraburgim njehsohet me një ditë e gjysmë burg, duke patur kështu ndikim të drejtpërdrejtë më pas në përllogaritjen e vuajtjes së dënimit përfundimtar.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë






Komente
Komento