TIRANË- Në dy seanca, 24 mars dhe 1 prill, kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj iu pezulluan afatet e paraburgimit nga GJKKO, për shkak se në gjyq munguan të pandehurit e tjerë. I pari i Tiranës e ka ankimuar në Apelin e GJKKO-së si të padrejtë këtë vendimmarrje, me argumentin se vetë Veliaj kishte dërguar në seancat gjyqësore avokatin e tij mbrojtës Plarent Ndreca dhe afatet e paraburgimit nuk mund të pezullohen në mënyrë kolektive.

Kjo ankesë e Veliajt do të shqyrtohej sot në Apelin e GJKKO-së, por seanca u shty pasi gjyqtarja Saida Dollani konstatoi parregullsi në shkresën për njoftimin e kryebashkiakut. Sipas saj, Burgjet kishin dërguar një fotokopje të shkresës që tregonte se Veliaj kishte marrë dijeni për zhvillimin e seancës, dhe jo dokumentin origjinal. Për këtë arsye, gjyqtarja Dollani vendosi që senaca e radhës të zhvillohet më 29 prill ora 09:30.

Pas seancës, avokati Ndreca e cilësoi absurde dhe cenim të të drejtave faktin se të pandehurve iu pezullohen afatet e paraburgimit, kur në seancat gjyqësore mungojnë avokatët e një tjetër bashkëpandehuri. E njëjta praktikë si me Veliajn, është ndjekur edhe për biznesmenin Elman Abule i cili ndodhet në arrest shtëpiak po për të njëjtën dosje. 

“Është instaluar një praktikë ku ka një dënim kolektiv kur mungon një avokat i një të bashkëpandehuri, u pezullohen afatet e paraburgimit të gjithë të pandehurve. Praktikë antikushtetuese. Absurde. Sot ishte njoftuar klienti, por u shty për shkak të një parregullsie. Ishte një parregullsi për mënyrën si ishte firmosur dhe për të mos u bërë shkak që të cenohet vendimi, gjykata me të drejtë vendosi të shtyhet seanca me 4 ditë. Më e rëndësishmja është ndryshimi i kësaj praktike, po dëmtohen të paraburgosurit, nuk ka arsye tu pezullohet paraburgimi”, tha avokati Plarent Ndreca.

Praktika e pezullimit të afateve të paraburgimit për të gjithë të pandehurit, për shkak të mungesës apo zvarritjes së procesit nga njëri prej tyre, po ngre debate të forta në sistemin e drejtësisë. Avokatët kërkojnë ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, duke argumentuar se kjo qasje cenon të drejtat individuale dhe mban në qeli persona që nuk kanë asnjë përgjegjësi për vonesat. Qëndrimi në paraburgim, njehsohet me një ditë e gjysëm burg, duke patur kështu ndikim të drejtpërdrejtë më pas në përllogaritjen e vuajtjes së dënimit përfundimtar. 

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.