Anna Kove, formula magjike
drejt një bote parajsore

Anna Kove, formula magjike <br />drejt një bote parajsore
Librat e Anna Koves, me poezi dhe prozë, konturojnë tashmë profilin e një autoreje. Me librin që u ofron së fundi lëçitësve ajo dëshmon se jo vetëm koketëron me letërsinë, por format e shprehjes artistike i ka zgjedhur si forma të ekzistencës së saj dhe të komunikimit me botën. Tashmë krokitë e saj psikologjike-poetike kanë autorësinë e saj, janë tejet të personalizuara dhe gati kapin trajtat e një ditari intim. Baudelaire thoshte: “Të shkruajmë një libër për jetën tonë me kushtin që të jemi absolutisht të çiltër, do të krijonim një kryevepër.”

Tekstet e Anna Koves janë analiza të intimitetit të një femre, analiza dhe sondime të thella në psikologjinë e saj, zbulime të pjesëve gati të padukshme të personalitetit të autores, duke qenë se proza e shkruar prej saj mund të konsiderohet si prozë poetike, më saktësisht mund të themi të heroit lirik.

Feminiteti është postura ekzistenciale, është kuintesenca ontologjike, është çelësi për të kuptuar tekstin e saj, e bash prej kësaj gjendjeje buron në formën më të natyrshme të mundshme krijimi i prozës poetike.

Faqja e prozës së autores është mbushur plot brishtësi, plot delikatesë, plot me gjeste sugjestionuese; të gjitha përjetimet, përvoja erotike, por dhe trajtat e saj të ëndrrës janë të shënjuara nga psikika femërore. E kujdesshme ndaj dashurisë, e matur në të gjitha lëvizjet e saj, me brishtësinë dhe elegancën gjinore prozatorja mbush me parfum femëror gjithë tekstet e saj. Gjestikulacionet poetike, veprimi, logjika e personazheve kryhen nga lëvizje të fshehta plot mister dhe natyrshmëri.

Heroina lirike është e veshur me finesën femërore dhe e vendosur në mënyrë kontrastive pranë një elementi të kundërt, mashkullor, viril, shumë herë jo i pranishëm në faqet e prozës së saj, por asnjëherë mungesor në substancë, plot forcë e vitalitet - në një lojë ballafaqimi të të kundërtave anima–animus.

Karakteristika përcaktuese e artit të prozës së saj është estetizmi, i afishuar në mënyrë më të drejtpërdrejtë sesa në poezinë e saj. Edhe pse vepra ka karakter narrativ në parim, relatimi është në mënyrë konstante i frakturuar përmes inserteve deskriptive. Në të gjithë shtrirjen e tij rrëfimi është ornamentuar me figura stilistike.

Poetizimi pa rrëfyer, stilizimi i gjendjes shpirtërore, kujtime fragmentare, ndjesi, detaje të vyera për rrëfimtaren, krijojnë atmosferën që realizohet në hapësira të vogla, në narrema vetjake të Anna Koves. Shfaqen dhe këtu kashtisje lirike, lëvizje shpirtërore, por autorja i drejton emocionet, në shumicën e rasteve me qartësi, i intelektualizon ato. Përçapjet stilistike, orkestrimi i kujdesshëm i fjalës dhe i ndjenjave, fjala dhe fraza e qëmtuar e afrojnë më shumë me poezinë dhe me lirizmin e saj.
 
Figuracioni poetik shkëlqen, e bën tekstin të pulsojë dhe lexuesin të përjetojë dhe ndiejë edhe duke lexuar vetëm fragmente të kësaj proze. Fraza degëzohet me elegancë, duke u integruar çdo pjesë e saj në një ritëm të ngjashëm me një frazë muzikore. Ndjenja erotike në pjesën më të madhe filtrohet në ujërat e ëndrrës. Anna Kove do dhe e ruan këtë gjendje, do vizualitetin e ëndrrës dhe të zhgjëndrrës; do brishtësinë e ëndrrës, të papërsëritshmen e ëndrrës. Shqetësimi i saj duket se mbetet frika për shkërmoqjen e saj nga zgjimi; ajo përpiqet ta konturojë atë me një finesë të rrallë me të gjithë pasurinë tonale e lineare. “Vetëm unë e di si do të dukesh, çfarë vështrimi do të kesh në sy, lëvizjen e parë të buzës lart, tingullin e parë, fjalën e parë ende pa lëvizur. Hapin e parë... Po rrëzohem.

Do të çohem përsëri. Ti po më pret, si të mos çohem?! Je forca ime ti. Afrohu! E shtrëngoj fort dorezën e derës, që tash mban edhe peshën e trupit tim gati të fikur nga mungesa jote. Vërtitja e fundit e këtij metali pa shpirt dhe në krahët e... Oh, më ke sjellë verë të kuqe?! Vera ka shpirt gruaje. E para shishe vere e kësaj bote është zbuluar në një sarkofag pranë trupit të një gruaje 16 shekuj më parë. Paska dhe një pusullë në grykën e shishes!

«Ti ke shpirtin e verës. Le ta pimë sot! 25 prill 1525.»” Përmes këtij filtri onirik proza poetike zhvishet nga agresiviteti, nga ashpërsia e të qenit e drejtpërdrejtë dhe vishet me ndjenja të stërholla, me detaje të një përkatësie të papërsëritshme plot sensualitet. Detaji është befasia dhe provokimi më i madh për lëçitësin.

Përmes formulave magjike që na ofron poetja, na kaplon dhe na shtyn në një botë parajsore, të mbushur me flatra, me fluturime, me ndjesi erotike, që të çojnë në një dehje të përgjithshme.

Përjetimet, fragmentet janë si një kaleidoskop i personalitetit të saj, që në përthyerje të ndryshme lexohen më shumë fragmente të pasqyrave të vetëdijes femërore; më shumë ngjyra, që në gjendje statike nuk lexohen dot. Prozat poetike të Anna Koves janë të mbytura në lirizëm, në poezi e muzikë, në përjetime të stërholla, të gjitha të filtruara nga vetëdija e një krijueseje që i beson ekonomisë gjuhësore për të pikturuar gjendje shpirtërore në thellësinë e tyre.

Shkrimi u publikua në Suplementin Rilindasit në gazetën Shqiptarja.com
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ ‘Darka e fundit’ në Olimpikë, organizatorët kërkojnë falje! Thyhet rekordi i Tokios, 191 atletë pjesë e LGBTQ

Paris 2024/ ‘Darka e fundit’ në Olimpikë, organizatorët kërkojnë falje! Thyhet rekordi i Tokios, 191 atletë pjesë e LGBTQ