Anteos Hrisostomidhis
“Ju rrëfej takimet me 33 nobelistët”

Anteos Hrisostomidhis<br />“Ju rrëfej takimet me 33 nobelistët”
TIRANE- I janë dashur tre vjet t’i lutet Herta Muller-it për një intervistë e ajo nuk pranon të dalë kurrë para kamerave (Herta Müller, fituese e çmimit nobel për letërsi për vitin 2009). “Më duket vetja si në gjyq”, i thotë ajo gazetarit Anteos Hrisostomidhis, i cili “gjuan” përfaqësues të shquar të letërsisë botërore për nevojat e emisionit televiziv “Eponymous” në bashkëpunim me gazetaren Michela Hartoulari. Anteos Hrisostomidhis, një nga përkthyesit më të shquar të letërsisë botërore në gjuhën greke, dhe një nga gazetarët më të njohur, pasi ka portretizuar shkrimtarët nobelistë, “tekat” e tyre i ka rrëfyer dje në panairin e librit në Tiranë me një sens humori. Libri i tij “Antenat e epokës sime”  i sjellë në shqip Romeo Çollaku është promovuar dje në Panairin e librit në Tiranë nga shtëpia botuese “Toena”.

Në librin e tij, 33 intervistat e një emisioni dokumentar, Anteos Hrisostomidhis nuk i ka rrëfyer të plota, por i ka renditur me përzgjedhje në funksion të portretit të secilit prej shkrimtarëve. Mbresat, emocionet nga frika e dështimit të emisionit, sepse çdo intervistë përftohej pas një udhëtimi të gjatë dhe plot të papritura, duke u nisur nga Greqia drejt  vendeve të ndryshme të botës, Egjipt, Turqi, Spanjë, Meksikë, Gjermani, Itali, Francë, etj, marrin një vlerë të re në këtë libër. Anteos Hrisostomidhis rrëfen për gazetën Shqiptarja.com se nuk është e lehtë të intervistosh shkrimtarët e mëdhenj. Syresh prej tyre kanë natyra të çuditshme, ku në libër shkruan se Orhan Pamuk nuk kujdeset t’u ofrojë mysafirëve as një gotë ujë, ndërsa në faqet e mëtejshme shumë prej tyre iu ofrojnë silla mbresëlënëse.

“Janë edhe disa shkrimtarë të tjerë, ata që nuk thonë kurrë jo, por as po ama. Dy vjet e ca zgjatën negociatat me Günter Grass-in (për të qenë më i saktë, me sekretaren e tij). Shkrimtari nobelist e shtynte, një e më dy, për më vonë përgjigjen përfundimtare, derisa erdhi një çast që thashë me vete mjaft, deri këtu, mbase në një jetë tjetër. Ndaj dhe nuk e pata rastin t’i kërkoja ndjesë në emër të bashkatdhetarëve të mi, të cilët e harruan aq lehtë qëndrimin e tij trimëror ndaj diktaturës dhe iu shkrehën duke e sulmuar mendjelehtësisht në vitin 2006, kur ai vetë e pohoi se në të ri, ashtu si miliona gjermanë të tjerë, kishte qenë anëtar i SS-së”. Kjo është një nga historitë e shumta e treguar në librin e tij me 33 shkrimtarë të shquar, që mori jetë nga platforma e një emisioni televiziv.
 
 
Zoti Hrisostomidhis, si nis ideja e këtij emisioni për librin?
 
-Ky emision nisi nga ideja se letërsia nuk u përket vetëm disa intelektualëve superiorë. Por duke menduar se shkrimtarët e mirë na hapin një dritare përtej botës, letërsia na hap dritare kundrejt njerëzve të tjerë. Sa më i mirë një shkrimtar, aq më të mira do të jenë idetë, më e madhe është kënaqësia që ndjen lexuesi. Meqenëse janë njerëz të ndjeshëm dhe kanë sjellje të ndryshme, për secilin prej tyre vjen nga një imazh krejt ndryshe në listën e 33 shkrimtarëve në temën që pozicionohen më shumë, për diktaturat, për çështjet e tjera globale për stalinizmin, etj.

Shumë prej tyre, me një largpamësi të admirueshme, me fjalët e tyre shërbejnë si dëshmi për historinë dhe individualitetin e një vendi dhe shqetësimet e një populli ose të një epoke. Çështjet që lidhen me problemet e nacionalizmit, terrorizmit dhe emigracionit të diskutuara me Mac Ewan, paragjykimet racore, çështjet e ngritura në diskutimet me Ghorntimer, si lëvizja e nazizmit apo krizës së Majtës ndërkombëtare. Me Makanin kemi folur për thelbin e epokës postsovjetike, me Schulze për trashëgiminë e Murit të Berlinit. Çështjet dhe paragjykimet fetare  i kemi trajtuar me Amos Oz , ndërsa modernizimin e Turqisë moderne e kemi dokumentuar nga Orhan Pamuk. Disa kanë dhënë shpjegime dhe se ç’është letërsia. Përse kemi këtë dëshirë të futemi në jetët e të tjerëve...
 
Çfarë mësove prej nobelistëve?
 
Zbulova edhe vet gjëra që nuk më shkonin në mendje. Pjesa më e madhe e fëmijërisë së tyre ka qenë shumë e vështirë. Por ndonjëherë jam befasuar se shpesh disa prej tyre, më janë dukur shumë më të rëndësishëm si njerëz sesa vepra e tyre dhe për disa të tjerë do të ishte më mirë të mos i njihja nga afër, sepse vepra e tyre është më e rëndësishme se ç’janë ata vet. Ky libër nuk është një renditje e mirëfilltë intervistash. Unë në këtë libër kam shkruar disa vëzhgime që nuk mund të jepen në TV. Pra, kur nisa ta shkruaja këtë libër, kapërceva stilin si gazetar, kisha ndjesinë sikur shkruaja një roman. Madje përmbledhje tregimesh dhe mendoj se për këtë më ndihmoi përvoja ime si përkthyes. Por më e rëndësishme është të mësohet publiku me letërsinë. Letërsia është ajo  që ofron diçka më shumë se ajo që jeta na jep. Dhe ajo diçka më shumë na lejon të dalim nga vetja dhe të bëhemi më të mirë. Letërsia na lë të udhëtojmë nëpër botë, na jep mundësinë për të udhëtuar në jetën e të tjerëve, për eksploruar gjatë këtij udhëtimi edhe veten tonë. Për më tepër,letërsia reflekton aspektet e realitetit, duke e rindërtuar atë, në mënyrë që lexuesit të kenë mundësi për të dalë në jetën e përditshme nëpërmjet një alternative më të mirë.
 
Si mundët, ju vet, që të imponoheni tek menaxherët e medias suaj për të bërë një emision që iu kushtonte aq shumë atyre për librin, i cili me kaq udhëtime e xhirime del shumë i shtrenjtë. Sinqerisht po ndihemi pak “xheloz” si kolegë, sepse nuk ndodh gjithmonë që të investohet një hapësirë kaq e gjerë për librin?

-E kuptoj drejt pyetjen tuaj. Televizioni grek ka probleme, siç ka kudo në botë me shikueshmërinë, por herë pas here ka nevojë t’i jap vend edhe kulturës. Dhe për këtë është televizioni shtetëror që e sheh të arsyeshme në funksion të interesit publik një emision të tillë. Por e rëndësishme është të gjendet një njeri i saktë që të gjej konceptin dhe ky të gjejë njeriun e duhur për këtë punë. Ideja mund të funksionojë kur punon në TV, kur në funksion të idesë di të përdorësh imazhin, ku përfshihen shkrimtarë dhe vende. Lagjet ku zhvillohen ngjarjet e tyre, ku përfshihen edhe njerëzit që nuk janë lexues të letërsisë. Kështu këto emisione nisën të bëhen shumë të dashurua. Më ndalonin në rrugë  dhe më falënderonin. Unë nuk e kam moshën të lëvdohem, por këto falënderime vlenin shumë për mua, që do të thoshte se ne kishim gjetur mjetin duke i bërë idetë dhe librat e shkrimtarëve të mëdhenj që të zbresin tek këta njerëz.

Duke e nisur këtë punë kuptova se ishte diçka që edhe mua më ka interesuar. Është gjë e mirë t’i shoh nga afër, apo më keq jam zhgënjyer, por këto përshtypje janë personale. Por ndonjëherë ky këndvështrim është edhe për ta parë nga ana tjetër veprën e tyre, tani unë në një rilexim të dytë të veprave të tyre dalloj gjëra që nuk i kam dalluar kur i kam lexuar më parë. Herta Mullerit iu luta tre vjet rresht dhe ajo nuk na pranonte të jepte intervistë. “Më duket sikur jam në hetuesi”, më thoshte, dhe unë e kisha njohur jetën e saj dhe nuk më habiste ky qëndrim i saj, ku ajo iu druhej kamerave, njohja e jetës së saj më dha çelësa që t’i afrohesha si njeri, duke i kujtuar asaj se edhe unë kam vuajtur.  

Shkrimi u publikua sot (16.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

TV izraelit: Sipas burimeve perëndimore Raisi ka vdekur

TV izraelit: Sipas burimeve perëndimore Raisi ka vdekur