Anton Pashku, mjeshtri i penës
përkujtohet në Bibliotekën Kombëtare

Anton Pashku, mjeshtri i penës<br />përkujtohet në Bibliotekën Kombëtare<br>
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Anton Pashku, zhvilluan këtë të martë në mjediset e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë edicionin e dytë të Konferencës Shkencore dhe Ekspozitës “Anton Pashku – shkrimtari”, me pjesëmarrjen e studiuesve dhe kritikëve nga Shqipëria e Kosova.

Edicioni i saj i parë u mbajt në Prishtinë më 17 maj të po këtij viti, duke rikthyer procesin e thelluar të leximit e rileximit që nevojitet për veprën unike të Pashkut. Këto konferenca dhe ekspozita janë pjesë e aktiviteteve të bashkërenduara në kuadër të bashkëpunimeve mes dy institucioneve tashmë prej vitesh.

Realizimi i ekspozitave, konferencave shkencore, bibliografive dhe botimeve të përbashkëta për veprën e De Radës, Kadaresë, Rugovës e Musine Kokalarit dhe së fundmi kushtuar veprës së çmuar të Anton Pashkut, na shtyjnë jo vetëm në një kremtim dhe përulje me nderim përpara veprës dhe kontributit të tyre, por na kthejnë te vetëdija për një moment të ri dhe cilësor reflektimi, njohjeje të ndërsjellë të autorëve dhe të personaliteteve të jetës shpirtërore të kombit.

Ekspozita kushtuar Pashkut sjell për herë të parë për publikun në Shqipëri rrugëtimin e veprës së tij përmes botimit të shkrimeve të para, botimeve të sistemuara, raporteve që vepra e tij ndërtoi me kritikën letrare në bashkëkohësinë e vet etj. Ajo sjell gjithashtu një dokumentim shembullor të faqeve të shtypit të kohës, lidhjeve të rëndësishme sa miqësore aq edhe letrare e intelektuale të autorit.
Anton Pashku ka lindur në vitin 1937 dhe u largua nga jeta në vitin 1995.

Qysh prej botimeve të para më 1955 pena e Anton Pashkut vijoi deri në fund të mbetej nga më uniket dhe autentiket në letërsinë shqipe. Prozator e dramaturg, autor i i disa përmbledhjeve me tregime, i romanit të mirënjohur Oh dhe dramave Gof e Sinkopa, ai krijoi e botoi një letërsi me tipare të forta moderne, me vështrime të thella psikologjike, me pyetësim të përhershëm të njerëzores në kushtet e vetmisë dhe dashurimit, në hetim të identitares dhe mbijetesës kulturore në kushtet e totalitarizmit e dhunës, si dhe me kërkime formale që e shpinin gjithmonë drejt krijimit të përsosur.

Tregimet e tij antologjike si Nën qarr po rrinte vasha, Floçka, Kulla, Si e përshkroi ëndrrën e vet njeriu me kapelë, Dy fjalë për një plak dhe librin e tij kushtuar tymit, Kënaqësitë e Megalopolisit, Anija e dehur, por edhe romani Oh – kulmim i shprehjes e strukturës moderne në letrat shqipe, imponuan një prag të ri të shkrimit të prozës si për shkrimtarët më të rinj ashtu edhe për mendimit kritik letar në Kosovë. Dalëngadalë kjo gjë po ndodh edhe në Shqipëri, ku mbas viteve ‘90 lexohet e studiohet edhe në kurrikulat shkollore si një autor i rëndësishëm e i domosdoshëm.
anton pashku
anton pashku

Redaksia Online
D.T/Shqitparja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Shkëlzeni po na tregon, kush nuk ka qenë në takim

Mero Baze: Shkëlzeni po na tregon, kush nuk ka qenë në takim