Antonella Scolamiero, një italiane
në krye të UNICEF në Shqipëri

TIRANE- Një shtetase italiane do të jetë në krye të UNICEF në Shqipëri. Ditën e sotme, Antonella Scolamiero i paraqiti Ministrit të Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, letrën e akreditimit të saj. Antonella Scolamiero do të menaxhojë Programin e Bashkëpunimit mes Qeverisë së Shqipërisë dhe UNICEF-it, i cili synon të realizojë respektimin e të drejtave të të gjithë fëmijëve të Shqipërisë.
 
“Do të jetë një privilegj për ne të mbështesim përpjekjet kombëtare në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit Europian! UNICEF do të sigurojë që të drejtat e çdo fëmije do të respektohen. Barazia është kriteri bazë në zhvillimin e çdo vendi”, tha përfaqësuesja e re e UNICEF-it në vendin tonë Antonella Scolamiero.
 
UNICEF promovon në çdo nismë të tij të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmije. Së bashku me partnerët tanë, vepron në 190 vende dhe territore për të realizuar angazhimin në vepra të ndryshme, duke u fokusuar veçanërisht te fëmijët në nevojë.
 
Kush është Antonella Scolamiero, e cila do jetë përfaqësuesja e UNICEF në Shqipëri
Antonella Scolamiero ka me një karrierë mbresëlënëse 25-vjeçare me UNICEF-in. Ajo më parë ka shërbyer në pozicione të larta drejtuese pranë UNICEF-it në Brazil, ku ishte përgjegjëse për planifikimin, koordinimin dhe zbatimin e programit të bashkëpunimit të UNICEF-it në Brazil. Në të njëjtin pozicion, ka shërbyer në vendet si Kolumba dhe Honduras.
 
Gjithashtu, Scolamiero ka një eksperiencë të spikatur 12-vjeçare në selinë e UNICEF-it në Nju Jork, ku ka kontribuar në forcimin e marrëdhënieve me partnerët, donatorët dhe ka luajtur një rol aktiv në planifikimin, monitorimin dhe vlerësimin në Samitin Botëror për Fëmijët.
 
Scolamiero, ka qenë pjesëmarrëse aktive në miratimin e Konventës së OKB-së mbi të Drejtat e Fëmijës (25 vjet me parë) dhe në vazhdim është përfshirë në mënyrë aktive në promovimin, ratifikimin dhe zbatimin e saj.
 
Antonella Scolamiero, është nënshtetase Italiane dhe është diplomuar nga Universiteti i Romës "La Sapienza", në vitin 1986 si “Doktore e Shkencave Politike” me temë diplome mbi të Drejtën Ndërkombëtare. Në vitin 1987, u diplomua me një diplomë pas-universitare dhe kreu studime dhe veprimtari kërkimore akademike të mëtejshme në fushën e të Drejtës Ndërkombëtare, Ekonomisë dhe Historisë në Universitetin e Romës në Fakultetin Juridik dhe atë të Shkencave Politike. Kohët e fundit, ajo ka kryer studime në Universitetin e Mastricht në Hollandë dhe në Universitetin e Kembrixhit në Angli.

Redaksia online
(e.s/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Joe Biden: Arritja e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, një nga sfidat më të vështira të karrierës sime

Joe Biden: Arritja e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, një nga sfidat më të vështira të karrierës sime