Antonio Francesco Parisi:
Kënga që lindi në kamp pune

Antonio Francesco Parisi: <br />Kënga që lindi në kamp pune
Antonio Francesco Parisi një vit më parë ishte vetëm një vullnetar që vinte nga Italia në Shqipëri për të dhënë një kontribut në misionin e disa murgeshave italiane në Babicë të Vlorës. Ditën rikonstruktonte shtëpitë ndërsa pasditeve u mësonte fëmijëve kitarën. Me vendosmërinë që e karakterizon një udhëtar që kapërcen kufijtë e një rrugëtimi të thjeshtë dhe sipërfaqësor, ia doli mbanë të njihte vendin dhe njerëzit ku qëndroi për disa kohë. Dhe u largua, i njohur vetëm nga ata që pati pranë. Por prej pak ditësh emri i tij rrethin e ngushtë të miqve italianë e shqiptarë. Shkaku është një këngë e titulluar "Mirëdita Albania", shoqëruar me një videoklip të thjeshtë, por domethënës. Janë aty këndvështrimet e tij, përjetimet, kujtimet e fiksuara jo në ditare udhëtimi, por në ndërgjegje e në shpirt dhe të konvertuara më pas në një këngë. Tërësisht e thjeshtë, e natyrshme aq sa kufijtë mund të harrohen lehtë.

Jemi mësuar të dëgjojmë "Buongiorno Italia" të Toto Cotugno-s, por të dëgjonim një këngë si "Mirdita Albania" ishte një befasi e vërtetë. Aq më tepër shkruar nga një kantautor italian. Përse vendosët ta krijonit këtë këngë?
"Mirdita Albania" lindi si një përvojë në një kamp pune në fshatrat Madice e Babicë (Vlorë). Ishim në ndihmë të disa murgeshave që bëjnë një shërbim shumë të mirë në Shqipëri dhe që kanë vënë në dispozicion jetën e tyre për një projekt besimi. Ato ditë mësova një mënyrë të jetuari pranë dhe larg njëherësh nga përditshmëria italiane. Ajo që më ka prekur më shumë ishte historia e një kombi, e një populli si i juaji, që për shkak të njerëzve me pushtet u fsheh për vite të tëra pas kufijve të tij, pa pasur mundësinë që të jetonte realisht jetën e tij. Kjo në fakt mbetet në bazë të çdo forme respekti kundrejt njerëzve dhe jam shumë i kënaqur që sot nuk ekzitojnë më barriera, jam i kënaqur që ndaj kulturën time me atë të mbarë botës, dhe jam kritik ndaj atyre që mendojnë se nuk duhet të pranojnë "njerëz të kombeve të tjera" me preteksin se u marrin vendet e punës apo nuk sillen mirë. Kudo ka njerëz të mirë dhe të këqinj, ndaj nuk na mbetet gjë tjetër veçse të zgjerojmë horizontet dhe të rritemi së bashku si vëllezër me popujt e tjerë.

Vizita juaj e parë në Shqipëri?
E para dhe e vetmja herë e imja në Shqipëri ishte në gusht të vitit 2011. Pata mundësinë të shëtisja në mbarë vendin nga veriu në jug, të njihja vullnetarë, motra, fetarë, miq shqiptarë, dhe të të krijoja një ide më të plotë për krahina të ndryshme

Çfarë bënit konkretisht në Babicë dhe sa kohë qëndruat atje?
Në Babicë qëndruam rreth një javë dhe punuam. Në mëngjes rikonstruktonim shtëpitë e murgeshave dhe në mbrëmje u jepja mësime kitare, fëmijëve.

Dhe në fakt ju i përmendni fëmijët me kitarat por edhe qelitë …
Gjatë shëtitjeve të ndryshme për të njohur të gjithë Shqipërinë kemi parë disa burgje. Nëse nuk gabohem qyteti ishte Shkodra. Mendoj se qelia e privuar nga çdo formë respekti dhe dinjiteti kundrejt të dënuarve është e papranueshme. Aushvici dhe burgjet komuniste për mendimin tim ishin shumë të ngjashme. Njerëzit, përveçse vdisnin në mënyrë të tmerrshme, ishin të privuar edhe nga dinjiteti njerëzor.
Kitarat që përmend në këngën time i përkasin pikërisht atij kursi me fëmijët. Për fat të keq përdornin me të vërtetë kitara të sajuara! Dhe shumica ishin të marra hua ... Kështu sapo ktheva në Itali, me ndihmën e miqve dhe përmes disa koncerte që kam dhënë, ia dolëm që të blinim dhe tu dërgonim nëntë kitara të reja! Murgeshat dhe fëmijët ishin ngazëllyer me të vërtetë dhe kjo ishte një kënaqësi për ne që kontribuam në rritjen dhe kulturën e më të rinjve..

Përshtypjet tuaja të para për Shqipërinë cilat ishin?
Sapo mbërrita në Vlorë gjithçka mu duk e rrëmujshme, në port secili bënte sipas qejfit! Dogana mu duk një imazh vërtet i venitur. Pastaj dalëngadalë hymë në thelb të jetës lokale dhe situata u përmirësua! Në Shqipëri kam njohur njerëz shumë të mirë dhe ashtu siç është normale në çdo vend tjetër kam njohur edhe njerëz më pak të respektueshëm. Kujtimi megjithatë është tepër pozitiv dhe shpresoj të vij së shpejti sërish.

Tani cila është lidhja juaj me Shqipërinë?
Aktualisht ruaj kontaktet me murgeshat që janë në mision dhe me të gjithë miqtë që më janë shtuar gjatë kohës që bëja videoklipin! Lidhja mbetet si ajo e vendeve të tjera në jug të botës: Shkëmbim energjish!

Pamë disa foto të prapaskenave të këngës. Në njërën prej tyre është flamuri ynë ndërsa diku tjetër ju vishni bluzën me flamurin e Shqipërisë. Ka dhe një varg në këngën tuaj, "Ti sento già mia.." (Të ndiej timen…) Si mund të ndihet një Italian kaq shqiptar?
Flamuri në video pasqyron kombin tuaj. Për më tepër më pëlqen shumë flamuri juaj! Bluzën e kam veshur nëj një koncert për mbledhje fondesh për të blerë kitarat që donim tua çonim fëmijëve ! "Të ndiej timen" do të thotë se kur vendos që të kem përvojat e mia në vende të tjera edhe larg kulturës sime, identifikohem me ta dhe ndaj çdo situatë. Preferoj të ndaj dhe jo të gjykoj stilin e jetës së një populli. Rritja e njerëzimit vjen nëpëmjet krahasimit

Urime për shqiptimin e fjalëve në shqip që nuk janë fort të lehta për ju. Nga kush i mësuat?
Faleminderit për fjalët e mira, por duhet akoma të përmirësoj shqiptimin! Në fshat shkëmbenim shumë batuta në gjuhën shqipe dhe fëmijët e murgeshat më kanë mësuar disa fjalë!

Sipas jush cilët do të jenë fansët më të mëdhenj të kësaj kënge, shqiptarët apo italianët?
Kur e shkrova këngën desha vetëm të përshkruaja emocionet që provova. Çdo këngë e gjen veten tek ata njerëz që ndajnë kuptimin e saj. Jam shumë i lumtur për faktin që po pëlqehet në Shqipëri dhe më pëlqen ta ndaj me ju. Edhe në Itali po pëlqehet dhe ngjall kureshtje tek ata që e dëgjojnë!

Do t'ju pëlqente ta këndonit këtë këngë në një koncert në Shqipëri?
Do të më pëlqente shumë! Sapo kam filluar turin tim të ri për vitin 2013 të titulluar "DIGITALI TERRESTRI"! Jam duke parashikuar edhe disa koncerte jashtë dhe ardhja në Shqipëri do të ishte një kënaqësi e madhe për mua!

Kur do të dalë albumi juaj?
Albumi është një proçes dhe shpresoj që brenda këtij viti të jetë në treg. Ndërkohë po punoj me projekte të tjera muzikore dhe janë në shitje cd të tjera që janë bërë në bashkëpunim me artistë të ndryshëm.

Ju keni qenë edhe në Afrikë. Çfarë ju tërheq kaq shumë tek udhëtimi?
Prej dy javësh jam kthyer nga mëma Afrikë. Udhëtimi në Benin ishte një përvojë e mrekullueshme formuese dhe me një rritje të jashtëzakonshme. Afrika më ka mësuar që të kem respekt ndaj asaj që kemi dhe të mos pretendojmë gjithnjë e më shumë. Kur shikon mjerimin dhe varfërinë në sytë e burrave, grave e fëmijëve, kupton se vlerat e vërteta të jetës janë krejt të tjera. Afrika më ka dhuruar edhe shumë gjëra të bukura, si ritmin, muzikën vallen, mikpritjen e shumë të tjera! Udhëtimi për mua është burim jete! njohja dhe përzierja me kultura të tjera është një dëshirë për tu rritur dhe për të ndarë ato që di me popujt e tjerë. Një udhëtim me sytë dhe zemrën e atij që kërkon të mësojë dhe të ndajë një copë udhë së bashku vlen shumë më tepër se çdo ligjërim ekonomik apo çdo vlerë e rreme që ditët e sotme na përcjellin.

Shkrimi u publikua sot në Shqiptarja.com
(v.gj/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Si nisi skema e mashtrimit me bursat e studimit! Zbulohet e-mail i parë të 20-vjeçarit që maskohej si “Klea Rama”, dërguar Ministrisë së Arsimit

Si nisi skema e mashtrimit me bursat e studimit! Zbulohet e-mail i parë të 20-vjeçarit që maskohej si “Klea Rama”, dërguar Ministrisë së Arsimit