Pas më shumë se 6 muajsh nga hapja e tenderit 364 milionë Euro për ndërtimin e autostradës Milot-Balldre, koncesioni është anuluar zyrtarisht. Ministria e Infrastrukturës argumenton se asnjë ofertë pjesëmarrëse në garë nuk plotësonte kushtet, për këtë arsye tenderi anulohet.

Tenderi për këtë koncesion u hap në dhjetor të vitit të shkuar, vlera e të cilit ishte 364.7 milionë euro dhe kohëzgjatja 35 vite.

“Asnjë nga ofertat e paraqitura nuk përmbushin kërkesat e ftesës për procedurën konkurruese, pra nuk është dorëzuar asnjë ofertë e përshtatshme”, njofton Ministria e Infrastrukturës.

Autostrada e re me gjatësi 17 kilometra parashikohej të mbyllej deri në vitin 2028-të, por tashmë procedura e tenderimit duhet të rihapet përsëri. Kalvari i këtij koncesioni ka nisur që në vitin 2018, kur erdhi propozimi i pakërkuar për ndërtimin e kësaj autostrade, dhe prej asaj kohe ky projekt ka mbetur vetëm në fazë tenderi.

Gjurma e propozuar e rrugës “Milot-Balldre” fillon në nyjën e Milotit, ku do të lidhet me segmentet e tjera rrugore Milot-Thumanë-Kashar-Lekaj dhe me Rrugën e Kombit, dhe do të përfundojë në rrugën ekzistuese Tiranë –Shkodër, në Balldre.