Anulimi i zgjedhjeve/ Balla: Institucionet janë të detyruara të mos e zbatojnë! Lobimi rus fundi i Bashës

Kryetari i grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla i ftuar në studion e emisionit '5 Pyetjet nga Babaramo' u shpreh se vendimi i Presidentit Ilir Meta për të anuluar datën e zgjedhjeve dhe shtyrjen pa afat është vetëm një dëshirë e tij dhe vetëm kaq, pasi nuk ka fuqi ligjore. Balla tha se të enjten në Kuvend do të miratohet një rezolutë që u lë detyrë institucioneve për të vijuar Kushtetutshmërinë, pra përgatitjen e zgjedhjeve të 30 Qershorit dhe jo zbatimin e dekretit të kreut të shtetit. "Ai është akti i pavlefshëm, cdo institucion është i detyruar që të mos e zbatojë" tha Balla.

Pas miratimi të rezolutës ditën e enjte, socialisti shpjegoi se më pas do të vijohet me kërkesën për shkarkimin e Presidentit nga detyra duke shpjeguar edhe procedurën. Megjithatë, shtoi ai, Meta do të vijojë të qëndrojë në zyrë deri në ngritjen e Gjykatës Kushtetuese që pritet që të bëhet funksionale në shtator. Gjatë emisionit, Taulant Balla lëshoi sërish akuza të forta për Lulzim Bashës lidhur me lobimin në SHBA për zgjedhjet e 2017 ku tha se 'kjo dosje do të jetë fundi i tij'.

Kryesia e Partisë Socialiste vendosi të ndërmarrë nismën për të shkarkuar Presidentin e Republikës Ilir Meta. Firmat e para u mblodhën sot, por largimi i Metës, do të varet nga Gjykata Kushtetuese, e cila kur të ngrihet, do të duhet të konfirmojë vendimin shkarkues prej Kuvendit. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:26
Anulimi i 30 Qershorit/ Balla zbulon fuqinë e rezolutës që do të miratohet të enjten

E ndërsa ka nisur procedurën për shkarkimin e Presidentit, të enjten PS-ja pritet që të miratojë një rezolutë pas vendimit të kreut te shtetit për anulimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit.

Por për cfarë do të shërbejë kjo rezolutë? Taulant Balla i ftuar në Report Tv shpjegoi se 'Rezoluta që pritet që të miratohet u drejtohet institucioneve, janë detyra që u lihen institucioneve, detyra për të vijuar Kushtetutshmërinë' tha ai, pra që të vijohet me përgatitjet për 30 Qershorin.

Por cfarë parashikon rregullorja për shkarkimin e Presidentit dhe kur pritet qe te ngrihet gjykata Kushtetuese? "Menjëherë pas kësaj grupi i PS-së do të fillojë procedurat për t'i kërkuar Kuvendit shkarkimin. Hartohet kërkesa, i dërgohet Kuvendit, njoftohet Presidenti dhe më pas fillon një procedurë, Komisioni i Ligjeve vlerëson kërkesën, ngrihet komisioni hetimor.

Presidenti është në detyrë deri kur vendimi për shkarkimin e tij të certifikohet nga Gjykata Kushtetuese. Gjykata në fund të korrikut do të jetë me anëtarë të rinj. Funksionaliteti mund të jetë në fillim të shtatorit" tha Balla.

Ora 21:19
Lobimi rus i PD-së/Balla: E financoi familjari i Putinit, ky është fundi i Bashës


Taulant Balla u shpreh se fundi i Lulzim Bashës do të jetë dosja e lobimit rus në SHBA në fushatën e 2017. "Lulzim Basha në fushatën e 2017-ës mori 1 mln dollar nga dy oligarkë, njeri familjar i Vladimir Putinit dhe këto para i përdori për të afektuar përmes lobingut.

Televizioni juaj meriton një lloj respekti që i shkoi në fund cështjeve. Të gjithë e dinë. Fundi i Lulzim Bashës është kjo dosje. Po dosja 339? Ato po hetohen. Në prokurori ka një dosje për rastin në fjalë që e nxis prokurorinë që ti shkojë deri në fund dhe nëse ka ndonjë politikan që ka përdorur lidhjet kriminale të shkojë në burg. Por në fushatën e 2017 një parti financohet nga Rusia...

Meqë e ke Lulin komshi, dil e shih kur del Luli me çanta. Në cilin vend zbulohet që një parti që synon të vijë në pushtet, lideri i vet firmos vetë të bëjë një kontratë lobimi, paratë paguhen nga kompani që vijnë nga Rusia dhe kjo cështje hetohet sot, ka ardhur së fundmi edhe përgjigjet nga SHBA dhe Basha është person përgjegjës dhe kryetari i opozitës hetohet nga SHBA
" tha ai.

Ora 20:57
Anulimi i 30 Qershorit/ Balla: S'ishte surprizë, vendimi të mos zbatohet, si guxon Presidenti...?!

Kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla u shpreh se vendimi i Metës për të anuluar datën e zgjedhjeve të 30 Qershorit nuk ishte surprizë. "Nuk ka qenë aspak surprizë, është pjesë e një cikli të nisur që prej korrikut të 2016. Basha ishte i pari që e kundërshtoi këtë vendim në aspektin politik. Ai është akti i pavlefshëm, cdo institucion është i detyruar që të mos e zbatojë.

Presidenti është krejtësisht i njëanshëm, i cili guxon të thotë që për situatën e dhunës ndaj institucioneve qenka përgjegjëse edhe policia. Por nuk ka një qytetar që nuk e vlerëson punon e policisë për menaxhimin e këtyre situatave. Nuk ka qenë dëshirë jonë të këto zgjedhje të bëhen pa opozitën, pasi më shijojnë më shumë kur mundim opozitën.

Lulzim Basha më akuzoi dhe tha se Balla shkoi në komisariat. Kolegë të PD-së më thanë se edhe Luli e di se nuk ke qenë në komisariat. Basha ka akuzuar me emër dhe mbiemër Ilir Metën në cdo miting" tha ai.

Ora 20:52
Anuloi zgjedhjet/ Balla: Dëshirë e Metës dhe kaq! Mund t'i hyjë vetja në qejf dhe të shpallet mbret

Taulant Balla u shpreh sonte se Meta shkeli Kushtetutën me vendimin për anulimin e zgjedhjeve, por sipas tij kjo është një dëshirë e kreut të shtetit dhe mbetet këtu, pasi nuk ka fuqi ligjore. "Kemi njoftuar dhe procesi do të marrë kohën e përcaktuar nga Kushtetuta dhe ajo që kemi institucionalizuar, nevojën që Kuvendi, institucioni më i lartë prej të cilit zgjidhen të gjitha autoritetet e tjera, nga Presidenti dhe cdo tjetër. Për fat të mirë ia kemi hequr Kuvendit, zgjedhjen e gjyqtarëve.

Por nuk ka sot në Shqipëri një jurist me mend në kokë që të japë të drejtë Presidentit Meta për atë akt që ka bërë, pasi nuk mund të quhet dekret, pasi nëse do të quhej i tillë do të quhej ç'dekret. Këtu e tetë muaj më parë Presidenti thirri partitë për të konsultuar datën e zgjedhjeve, isha unë nga PS-ja dhe me të gjithë të tjerët kishim propozimet me zgjedhjet.

Për kujtesë, unë kam propozuar datën 9 Qershor, pas kërkesës së shoqatës së turizmit, por Meta respektoi kërkesën  e opozitës, datën e fundit të përcaktuar nga Kodi Zgjedhor. Në të gjitha rastet shtyrja është bërë pas një marrëveshje politike.

Si në2017, por edhe në 2007 kur marrëveshja është bërë në Presidencë nga të gjitha forcat. Ajo që ka ndodhur sot. Meta e di që akti i sotëm nuk ka lidhje me Kushtetutën. Presidenti nuk ka të drejtë që të ç'dekretojë. Pas debatit do të ketë një rezolutë, një dokument qartësues.

Sot KQZ-ja nuk e ka marrë në konsideratë sepse Kushtetuesja e ka qartësuar këtë rast, nuk shkon për t'u sqaruar në këtë gjykatë, pasi janë akte administrative, por atakohen në Kolegj Zgjedhor apo gjykatë Administrative. Faza e parë e vendimmarrjes është KQZ-ja.

Meta kishte nga 4-5 javë që vine vërdallë lokaleve të Tiranës dhe thoshte do të bëj këtë dekretin. Madje e kishte thënë edhe publikisht që po shqyrtonte mundësinë për këtë. Ky zotëria nuk ka të drejtë ta bëjë, mund ti hyjë vetja në qejf dhe një ditë të shpallet mbret, apo do të thotë të anulohen zgjedhjet në Puglia!

Ky zotëria ka të drejtë vetëm të dekretojë datën e zgjedhjeve dhe kaq. Nesër Presidenti mund të nxjerrë një dekret për ç'emërimin e ministrave. Ajo që ka bërë Presidenti sot, është ka shprehur një dëshirë, por kjo mbetet në nivelin e dëshirës" tha Balla.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës