Një tjetër zë kundër ka ardhur nga brenda Partisë Demokratike, ku një anëtar i saj në Fushë-Krujë ka vendosur të largohet, duke e cilësuar procesin për kreun e degës së Krujës si farsë.
Bëhet fjalë për Besmir Halitin, i cili përmes një reagimi publik njoftoi sot largimin nga PD dhe hodhi akuza të forta për manipulim të garës për kryetar.
Sipas tij, procesi është i dirigjuar nga Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka, në favor të kandidatit Aulon Kalaja, ndërsa baza e partisë është anashkaluar plotësisht.
Haliti shprehet se kandidaturat janë vendosur në mënyrë të njëanshme dhe se emra me kontribute në PD janë përjashtuar nga gara dhe e cillëson këtë si një proces antistatutor dhe të padrejtë.
Ai gjithashtu akuzon Nokën për “dhunim dhe poshtërim” të anëtarëve dhe strukturave të partisë në Krujë dhe Fushë-Krujë, duke shtuar se bashkimi i dy degëve është një “gabim politik” që, sipas tij, ka përçarë dhe dobësuar Partinë Demokratike në zonë.
Në reagimin e tij, Haliti përmend edhe Sali Berishën, duke theksuar se, ndonëse ishte premtuar mosndërhyrje, gara është diktuar nga drejtuesit.
Reagimi i plotë i Besmir Halitit
"Prej ditës së sotme deklaroj se nuk jam më anëtar i Partisë Demokratike të Shqipërisë
Gara që po zhvillohet sot për kryetarin e PD-së, dega Krujë, është një farsë e shpifur antidemokratike, e gatuar dhe e dirigjuar nga Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, si dhe nga grupe interesi të lidhura me të dhe me kandidatin e favorizuar, Aulon Kalaja, duke dhunuar dhe poshtëruar një masë të gjerë anëtarësh dhe strukturash. Dhunimi dhe poshtërimi që Flamur Noka u bën anëtarëve dhe strukturave të PD-së në Krujë dhe Fushë-Krujë është i paprecedent.
Kandidatura përballë z. Kalaja, përveçse është një kandidaturë e stisur dhe e propozuar në mënyrë antistatutore, është edhe një kukull e vendosur në garë si ornament. Emrat e miratuar nga Flamuri (sepse është botërisht e ditur që Flamuri është kryesia) nuk janë të rastësishëm. Janë përjashtuar nga e drejta për të garuar emra të rëndësishëm dhe me kontribute historike në PD-në e degës, kryesisht në Fushë-Krujë. Përjashtimi i tyre është i qëllimshëm dhe justifikon atë çfarë kam thënë më lart.
Emrat e këtyre kandidatëve janë propozuar në bazë të statutit, duke u mbledhur kryesia dhe aktivi i degës Fushë-Krujë; ndryshe nga Kruja, ku nuk ka pasur asnjë mbledhje të tillë zyrtare. E them këtë sepse z. Ismalaja vjen si propozim i degës së Krujës.
Baza nuk u pyet dhe as u mor në konsideratë mendimi i saj për asnjë çast. Influencat dhe grupimet e interesit, që i kanë zgjatimet deri në Partinë Socialiste, si dhe konfliktet e interesit që janë verbuese dhe fyese në këtë garë, u pyetën dhe, me arrogancë e paligjshmëri të pashoqe, u avantazhuan.
Bashkimi i dy degëve është një gabim trashanik politik. Koha do të na japë të drejtë neve që e kundërshtuam. Ndërsa krijimi i një gare farsë është një katastrofë për Partinë Demokratike të zonës së Krujës. Me këtë akt të turpshëm farse, ajo është e përçarë, e shkatërruar dhe e dobët.
Kam refuzuar farsën zgjedhore në verën e vitit 2017 midis Lulzim Bashës dhe Eduart Selamit, duke mos marrë pjesë dhe duke e braktisur Shqipërinë në vjeshtën e po atij viti për të studiuar dhe punuar në Itali. Jam kthyer në prill të vitit të kaluar dhe menjëherë kam filluar të jap kontributin tim modest për Partinë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, duke menduar dhe shpresuar se, pas rithemelimit, kjo parti kishte nxjerrë mësime të mëdha nga e kaluara e afërt dhe e hidhur politike.
Shpresoja se do të bëhej një parti më e drejtë, një parti më e kujdesshme, një parti që respekton ligjin e saj; shkurt, një parti më demokratike. Por jo vetëm që nuk ka ndodhur asnjë nga këto, por rasti i turpshëm i Krujës tregon se gjendja e demokracisë dhe e respektimit të ligjit, të garës dhe të kontributit është përkeqësuar edhe më shumë që nga vera e vitit 2017.
Refuzoj me forcë dhe përbuzje edhe sot garën farsë për kryetarin e degës së Krujës mes z. Kalaja dhe bashkëpunëtorit të ngushtë të xhaxhait të tij, z. Ismalaja. Do të kishte qenë më e ndershme, më e pranueshme dhe më burrërore nëse Flamur Noka, me miratimin në heshtje të z. Berisha, do ta kishte emëruar z. Kalaja. Është më e pranueshme vetoja sesa tallja. Por, siç duket, përvojën e gjatë në politikë e errëson arroganca.
Një anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë, një burrë i nderuar dhe i ditur, një herë më pati thënë: “Besmir, kjo s’ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë partia jonë.” Fjala ishte për aspiratat e vërteta për liri, demokraci dhe ligj.
Zoti Berisha, në foltoren e Krujës, mua personalisht më tha: “Ne s’kemi punë të ndërhyjmë në garën tuaj këtu.” E pra, jo vetëm që u ndërhy, por u dirigjua dhe u diktua në mënyrën më brutale.
Idro Montanelli thotë: “Për mendimin tim, e djathta nuk është ideologji. E djathta është një mënyrë e caktuar sjelljeje karshi asaj që është publike dhe ndaj shtetit.” Sjellja e djeshme dhe e sotme e PD-së, e liderëve dhe funksionarëve të saj të lartë — jo e të gjithëve — nuk më përfaqëson më.
Aspiratat e mia të djathta për një PD demokratike, të lirë dhe të drejtë nuk janë përmbushur dje dhe nuk përmbushen as sot. Janë fyer dje dhe po fyhen rëndë edhe sot.
Ndaj energjinë, dijen dhe aftësitë e mia — ato që janë — do t’i vë gjithmonë në shërbim të vendit tim, si patriot dhe nip e stërnip patriotësh. Por kurrë aty ku tallen me veten, tallen me të tjerët dhe tallen me vendin."
Komente










