Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatovic, ka komentuar sot idenë e hedhur Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç që Shqipëria dhe Serbia të jenë pjesë e Bashkimit Evropian edhe pa të drejta vetoje, propozim i bërë në fund të shkurtit në një editorial të përbashkët për median gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ)”.
Nga Berlini, Milatovic e quan këtë një qasje “legjitime”, por e bën të qartë se vendi i tij nuk devijon nga kursi.
“Ne shpresojmë që t’i mbyllim të gjithë kapitujt nga fundi i këtij viti, ose gjatë vitit të ardhshëm, në mënyrë që gjysma e dytë e 2027-ës dhe 2028-a të jetë për ratifikimin e hyrjes së Malit të Zi në BE në të gjtha parlamentet e vendeve anëtare. A do të jetë 2028-a a 2029-a, nuk është e vendosur por duhet të ndodhë brenda mandatit aktual të Komisionit”, tha Milatovic në një intervistë për “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.
“Për autorët është një ide plotësisht legjitime. Megjithatë, ne po ndjekim procesin klasik të anëtarësimit siç e kanë bërë të gjitha vendet deri tani. Ne po negociojmë që të bëhemi anëtarë të plotë”, shtoi ai.
Gjatë intervistës, Milatovic u pyet edhe për mungesën e mbështetjes nga Gjermania apo Franca. Ai tha se do të fokusohet vetëm në gjëra që Mali i Zi mundet t’i kontrollojë.
“Përshtypja ime është se Macron është i gatshëm të mbështesë pranimin e një vendi të ri”, tha ai.
Gjatë intervistës Milatovic theksoi se zgjerimi i BE-së nuk është thjesht çështje teknike, por edhe mesazh politik për gjithë rajonin se procesi është gjallë dhe vendet që bëjnë detyrat mund të hyjnë në bllokun 27-anëtarësh.
Në editorialin e tyre, Rama dhe Vuçiç e konsideruan zgjerimin e BE-së jo vetëm një akt bamirësie por një investim i dobishëm për të gjitha palët.
Komente









