Prokuroria kërkon nga Gjykata e Apelit, në Tiranë të shpall fajtorë Shpëtim Gjikën dhe Eleni Dardhaj, të akuzuar për veprën penale të “fallsifikimit të dokumenteve”, e kryer në bashkëpunim, dy herë, si edhe për shtetasit Blerdi Liçaj dhe Gentian Sherifaj, të akuzuar gjithashtu për veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve”.
Të katërt të pandehurit, me vendimin e gjykatës së tiranës dhënë nga gjykatësi Arben Micko fituan pafajësi paçka se për Gjikën u kërkuan 4 vite burg dhe 3 vite heqje lirie për vartesen e tij Eleni Dardha
Për prokurorinë e Vlorë, vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë është rrjedhojë e vlerësimit të gabuar të provave të administruara gjatë procesit gjyqësor duke mos i çmuar ato në mënyrë të drejtë.
Një ndër pikat e konsideruara si provë e pakontestueshme për prokurorinë është fakti se gjykata “nuk është shprehur dhe nuk ka analizuar fakti që, subjektet private kanë marrë leje ndërtimi në vitin 2010, ndërkohë që ato janë regjistruar në vitin 2011, pra një vit pasi kanë marrë leje ndërtimi.
Sipas prokurorëve “ky është një ndër argumentat, krahas të tjerëve, që prokuroria e Vlorës e vlerëson vendimin e gjykatës së shkallës së parë si rrjedhojë e vlerësimit të gabuar të provave, ose mosshqyrtimit të provave të paraqitura nga akuza. Të njëjtin qëndrim të shprehur në kërkesën për apel, prokuroira mban dhe për numrat e regjistrimit të pronave në hipotekë para legalizimit, ku sic shprehet akuza në vitin 2011, kjo pronë ka marrë numrat përkatës në regjistrat hipotekorë.
Prokuroria i qëndron akuzës së falsifikimit, nisur edhe nga një situatë tjetër.
“Ndërkohë që leja nga KRRT, Bashkia Vlorë, për subjektin ndërtues “Deco System” rezulton të jetë dhënë në vitin 2010, kontrata e sipërmarrjes ndërmjet pronarëve të truallit dhe subjektit ndërtues “Deco System” është nënshkruar në qershor 2011, pra një vit pasi subjekti ndërtues ka marrë leje ndërtimi (ndërkohë që leja duhet të shqyrtohet pasi të jetë nënshkruar kontrata e sipërmarrjes). Gjykata ka rrëzuar këtë provë të Prokurorisë, duke iu referuar deklarimeve të të pandehurve se kanë nënshkruar një kontratë të thjeshtë, jo noteriale, para marrjes së lejes në vitin 2010. Por ky pretendim, i cili është pranuar nga gjykata, nuk është aspak i vërtetë, për faktin se në kontratën e thjeshtë sipërmarrësit dhe pronarët e truallit kanë rënë dakord për pronën me numrat përkatës të regjistrimit, e cila është regjistruar në ZVRPP në vitin 2011. Pra, në vitin 2011, kjo pronë ka marrë numrat përkatës në regjistrat hipotekorë. Atëherë, rezulton se nuk ka pasur asnjë mundësi reale që pronarët e truallit dhe sipërmarrësit të dinin një vit më parë (në vitin 2010) saktësisht se cilët do të ishin numrat që do të regjistrohej prona pas një viti (në vitin 2011), pasi rezulton që në kontratën jonoteriale të vitit 2010, palët kanë vendosur saktësisht numrat e regjistrit hipotekar të pronës, të cilat vendosen sapo prona regjistrohet sipas radhës së aplikimeve” thekson organi i akuzës.
Sa i përket deklarimit të gjykatës, se vendimi është i arsyetuar në 53 faqe, Prokuroria e Vlorës shprehet se pavarësisht sasisë së materialit, në thelb është një vendim i paarsyetuar.
“Në 39 faqe të vendimit janë pasqyruar dhe përsëritur faktet e pretenduara nga Prokurori dhe nga të pandehurit e mbrojtësit e tyre gjatë procesit gjyqësor, më tej Gjykata ka vijuar me konkluzionet e arritura prej saj, pa bërë më parë një analizë të mirëfilltë të provave të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, pa çmuar drejtë vërtetësinë dhe vlerën provuese të çdo prove të administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor, veprime këto që vijnë në kundërshtim me kërkesat e nenit 152 të K.Pr.Penale”, theksohet në deklaratën e organit të akuzës.
Prokuroria e Vlorës ka paraqitur pranë Gjykatës së Apelit, të cilës i kërkon shpalljen fajtor si dhe dënimin:
Shpëtim Gjika- 4 vjet burg dhe 3 vjet burg heqje e të drejtës për ushtrimin e funksioneve publike
Eleni Dardhaj- 3 vjet burg dhe 3 vjet burg heqje e të drejtës për ushtrimin e funksioneve publike
Gentian Sherifaj- 2 vjet burg
Blerdi Liçaj – 2 vjet e 6 muaj burgim
Në 27 nëntor dosja për kryebashkiakun e Vlorës Shpëtim Gjika u mbyll me pafajësi. Gjykata e Tiranës shpalli të pafajshëm kryetarin e Bashkisë së Vlorës, të vënë nën akuzë për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.
Pas 27 seancave gjyqësore, gjykatësi Arben Micko në vendim e tij për pafajësi ndaj Gjikës, argumentoi se prokuroria nuk ka mundur të faktojë se falsifikimi është kryer nga kryebashkiaku duke vendosur gjithashtu dhe heqjen e sekuestrove ndaj dy pallateve të konsideruara si të ndërtuara pa leje nga prokuroria, e cila kërkoi shembjen e tyre.
Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)