Ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka ankimuar në Gjykatën e Lartë vendimin e Apelit të GJKKO-së, që e riktheu në qeli për të shlyer dhe 10 ditë nga dënimi për veprën penale ‘Shpërdorim detyre’.
Apeli i Posaçëm vendosi më 16 shtator 2025 dënimin e Dakos me 2 vite e 8 muaj burg, por nga përllogaritja e të gjithë ditëve që ish-kryebashkiaku kishte qëndruar në paraburgim dhe më pas në ‘arrest shtëpiak’ gjatë gjithë procesit të hetimit, atij i mbetën për të kryer në total dhe 10 ditë burg.
Veç tij rekurs kanë bërë edhe Fiqiri Farruku, Fatmir Ejupi, Adrian Bulku të gjetur fajtorë për shpërdorim detyre rreth tenderave në bashki. Relator i çështjes do të jetë gjyqtari i lartë Genti Shala.
Vangjush Dako u dënua për shpërdorim detyre në 2 raste, në kohën që ushtronte postin e kryetarit të bashkisë së Durrësit. Bëhet fjalë për ndërtimin e një pallati 12 vite më parë në Durrës, që u shemb nga tërmeti i vitit 2019. Leja e ndërtimit të pallatit u zbardh, tre vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar dhe kishin hyrë banorët, duke legalizuar 4 kate pa leje. Po kështu dhe vetë ndërtimi nuk ishte bërë sipas projektit të miratuar nga Bashkia Durrës.
Ndërsa rasti tjetër i shpërdorimit të detyrës nga Dako lidhet me abuzimin me tenderin për ndërtimin e një shëtitoreje në vitet 2014-2015, të zbuluar nga KLSH, që I shkaktoi buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekësh.
Komente









