TIRANË- Apeli i Posaçëm vendosi t’i kthejë vilën nënës së Monika Kryemadhit, pas ankimimit të bërë më 6 dhjetor ndaj sekuestros së vendosur nga Gjykata e Posaçme 1 muaj më parë. Bëhet fjalë për një vilë te Kodra e Diellit në Tiranë me sipërfaqe 449 metra katrorë, përfshirë katin përdhes, katin nëntokë dhe dy kate të tjera.
Nga ana tjetër trupi gjykues i drejtuar nga Igerta Hysi la në fuqi masën e sekuestros për vilën në rezidencën Kodra e Diellit të Monika Kryemadhit, e cila paralajmëroi rekurs.
“Betejë ligjore që do durim dhe konsistencë. Të dyja banesat janë të përfituara në mënyrë të ligjshme, e prano edhe prokurori. Ka edhe një avantazh që unë futem një cik më pa radhë se mamaja ime në gjykatën e Strasburgut. Në raste të tilla prokurori zbaton vendimin e gjykatës. Kishim vetëm shpalljen, prokurori kërkoi që të mos ndryshohej vendimi. Që të jemi të sinqertë, prokurori ngritën arsyen e bashkëpunimit të Fatime Kryemadhit me Ilir Metën për korrupsion që nga video e Dritan Priftit. Për çështjen e CEZ-Dia që pretendojnë se Fatime Kryemadhi ka bashkëpunuar me Metën. Fatime Kryemadhi e ka blerë banesën në mars ndërsa meta dyshohet për një çështje që është gjykuar dy herë në 2015, bëhet fjalë për në dhjetor të 2018. Si mund të jetë bashkëpunimi. Nuk ka koherencë, sistem të provave, aq më shumë që ti bën sekuestro për një grua që ka një ekspertizë financiare të paraqitur”, tha Kryemadhi.
Kryemadhi tregoi se që prej vitit 1998 ka jetuar me nënën e saj.Një ditë më parë, Kryemadhi tha se ishte e gatshme të jetonte në çadër, nëse SPAK-u e nxjerr jashtë.
GJKKO ka caktuar ndaj Monika Kryemadhit masës e sigurisë 'detyrim paraqitje', ndërsa po hetohet nga SPAK për tre akuza pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish në lidhje me dosjen e CEZ DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA.
Po për këtë dosje po hetohet dhe bashkëshorti i saj, Ilir Meta, me të cilin është në proces divorci. Aktualisht Ilir Meta ndodhet në qeli, pasi ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”.