Kukësit i rikthehen tre pikët e hequra nga Komisioni i Disiplinës për incidentet e regjistruara në ndeshjen përballë ekipit të Skënderbeut në qytetin verilindor, ku u kërcënua arbitri Jorgji dhe trajneri i ekipit kampion Mirel Josa.
Komisioni i Apelit i mbledhur gjatë ditës së sotme ka vendosur që ekipit nën kampion t’i rikthejë pikët duke e cilësuar të padrejtë vendimin e Disiplinës. Ndërsa ka lënë në fuqi vendimin për dënimin e fushës me 4 ndeshje.
Nga vendimet e Apelit ka përfituar edhe trajneri Shensoji, të cilit i është ulur dënimi nga 12 ndeshje në 5, teksa është gjobitur edhe me 100 mijë lekë gjobë.
Pas vendimeve ka reaguar edhe presidenti i ekipit të Kukësit, Safet Gjici, i cili ka falenderuar Komisionin e Apelit për vendimet.
“Falenderoj anëtarët e Komisionit të Apelit për rikthimin e tre pikëve. Apeli konfirmoi se heqja e pikëve nga Disiplina ishte e padrejtë.
Dëshira do të ishte që të ishte anuluar vendimi për fushën dhe për trajnerin Shensoji, por respektoj plotësisht vendimet e Apelit” deklaroi Gjici për ‘A1 REPORT’.
16: 25, Protesta para FSHF
Tifozët e ekipit të Kukëist po zhvillojnë një protestë para Federatës Shqiptare të Futbollit pas dënimeve të Komisionit të Disiplinës për incidentet që ndodhën në ndeshjen me Skënderbeun.
Tifozët verilindor në formë presioni kanë zgjedhur për të zhvilluar protestën gjatë kohës që po mbahet edhe mbledhja e Komisionit të Apelit, të cilët do të vendosin nëse do të hedhin poshtë vendimet e Disiplinës, reduktojnë apo do t’i lënë në fuqi.
Disiplina vendosi që të dënojë ekipin e Kukësit me heqjen e tre pikëve, dënimet e fushës me 4 ndeshje dhe pezullimin e Shensojit me 12 ndeshje. Ndërsa tifozët kanë kërcënuar se nëse vendimet nuk anulohen do të përshkallëzojnë protestën.









