TIRANË- Gjykata e Apelit rrëzoi padinë e Fatos Skejës për Ilmi Dedën, vëllain e Hekuran Dedës, një prej 4 të vrarëve në protestën e 21 janarit.
 
Ish-gardisti Skeja, kishte paditur në gjykatën e faktit në Tiranë, Ilmi Dedën për deklaratat publike të këtij të fundit se, Skeja kishte dashur të ndërmjetësonte duke ofruar edhe pagesa për një vizitë të ish kryeministrit në atë kohë Sali Berisha në banesën e Dedës.
 
Në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, Ilmi Deda, u shpall fajtor për shpifje dhe përveç 99.999 lekëve gjobë, detyrohet të kryente përgënjeshtrimin e thënieve të tij.
 
Në vendimin e të mërkurës Gjykata e Apelit Tiranë, rrëzoi vendimin e Shkallës së Parë, duke vlerësuar se deklaratat e Ilmi Dedja nuk përbëjnë shpifje.
 
Automatikisht, Deda shkarkohet edhe nga përgjegjësia për të paguar gjobën apo kryer përgënjeshtrimin e thënieve të tij për gardistin Skeja.
 
Ky i fundit, aktualisht ndodhet në paraburgim për një ngjarje tjetër. Së bashku me Gojart Locin, ish-gardisti akuzohet për rrëmbimin dhe gjobëvënien prej 100 mijë euro ndaj një të afërmi të tij.

Redaksia online
(e.s/e.sh/shqiptarja.com)