Gjykata e Drejtësisë Federale ka konfirmuar 10 muajt e pezullimit për teknikun e Juventusit, Antonio Conte, ndërsa lojtarët Leonardo Bonucci dhe Simone Pepe janë liruar nga akuzat e Prokurorisë. Sakaq, mbetet në fuqi vendimi për rrëzimin e ekipit të Leçes në Lega Pro .Ish – tekniku bardhezi u akuzua nga Komisioni i Disiplinës së Federatës Italiane të Futbollit për dijeni në trukimin e dy ndeshjeve në kohën që drejtonte ekipin e Sienës në Serinë B.

Antonio Conte më parë i ishte drejtuar Komisionit të Disiplinës me një kërkesë për të negociuar dënimin e tij, duke pranuar që të shlyente tre muaj pezullim dhe një gjobë prej 200 mijë eurosh. Por një kërkesë e tillë u mor as asokohe në konsideratë dhe as tani nga apeli duke përjashtuar për 10 muaj teknikun. Tanimë drejtuesit e ekipit të Juventusit duhet të mendojnë seriozisht për zëvendësuesin e Antonio Contes në bankinën bardhezi, pavarësisht se ndihmësi i Contes, Carrera ka bërë në një paraqitje të mirë duke fituar Super Kupën përballë ekipit të Napolit dhe trofeun Berluskoni ndaj Milanit.

(d.b/shqiptarja.com)