92 mijë turistë kanë vizituar nga janari deri në gusht, Parkun Arkeologjik të Apolonisë, duke shënuar rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Harta e turisteve është zgjeruar nga çdo skaj i botës por kryesojnë europianët.
“Po ta krahasojmë me vitin e kaluar kemi një rritje prej 5%", tha përgjegjësi i Muzeut, Admir Xhelaj.
Apolonia është destinacion i çdo stine por vera, shënon fluksin më te lartë të turistëve. Brenda Manastirit gjendet muzeu arkeologjik, ku ka objekte te shumta të zbuluara gjate ekspeditave arkeologjike.
"Ka turistë nga e gjithë bota, përveç Koresë së Veriut. Më të shumtët janë europianë", shtoi Xhelaj.
Gjate kësaj periudhe edhe ekspeditat kanë qenë aktive me zbulime te reja. Prej një viti në kuadër të projektit shqiptaro- francez, për termat romake është gërmuar në një sipërfaqe prej 1000 metër katror, ndërkohë që projekti shqiptaro- gjerman do te vijoje gërmimet në tempullin e Shtyllasit.
“Janë gjetur fragmente mermeri që visheshin muret, dyshemetë. Pra ka qenë një monument shumë luksoz për kohën. Fragmente kornizash, dekorimesh. Pra ka qenë shumë interesante dhe është gati 1000 metër katror monument. Kanë për ta zbuluar plotësisht këtë tempull, është një projekt në vijim”, tha mes të tjerash Xhelaj.
Me vlerat historike qe mbart Apolonia mbetet një dëshmi e gjallë e trashëgimisë sonë kulturore dhe një magnet i fuqishëm për turizmin.











Komente
Komento