Qeveria e Mbretërisë arabe do t’i dhurojë Shqipërisë 180 ton ndihma humanitare, të cilat do të shkojnë për banorët e prekur nga përmbytjet gjatë dimrin të kaluar. 
 
Avioni i parë mbërriti në orët e para të kësaj të mërkure, ndërkohe që në tre ditët e ardhshme pritet të vijnë edhe tre avionë te tjerë.
 
I pranishëm në pritjen e ndihmave në aeroportin “Nënë Tereza” ishte dhe ambasadori i Arabisë në Tiranë, Talat Salem Raduan si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi.
 
Ambasadori Saudit, tha se qeveria e tij e ka mbështetur disa herë Shqipërinë më donacione të ndryshme, të cilat fillojnë nga ndërtimi i rrugëve, deri të ndihmat humanitare.

“Qeveria e mbretërisë Arabisë Saudite për shkak dëmeve ekonomike që u shkaktuan nga dimri i kaluar dhe për çdo nevojë në vazhdim, dërgoi 180 ton ndihma humanitare të cilat konsistojnë në 3800 paketa ushqimore, 900 çadra strehimi, 4000 copë batanije si dhe 1200 dyshek”, u shpreh Raduan.

Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Shemsi Prenci shpjegon mënyrën e shpërndarjes së këtyre ndihmave. “Ato do t’u jepen familjeve në nevojë të cilat kanë mbetur të dëmtuar nga fatkeqësitë natyrore. Ndërsa pjesa që do të mbesë do të qëndrojë në depozitat e rezervave të shtetit për t’u përdorur në rast të emergjencave civile”, tha Prenci.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)