Dokumentimi i parë kësaj popullsie në territoret arbëre gjenden në këngën popullore Gjergj Elez Alia, ku ky i fundit ndeshet në disa variante me bajlozin e zi dhe në disa të tjerë arapin e zi. Studiuesit e folklorit kanë evidentuar me kohë që bajlozi i zi, bëhet fjalë për bajlin e Venedikut, emërtimi i ambasadorëve të kësaj republike në shtete të tjera.
Në rastin kur përmendet si arapi i zi, ka të ngjarë që përfaqësues të pushtetit venedikas të ishin nga popullsia afrikane e Marokut dhe Algjerisë që shërbenin si mercenarë në trupat venedikase. Një personazh i tillë për shembull është Otello i Shekspirit, çka dëshmon që numri i tyre i përfaqësimit në trupat vendedikase kishte një frekuencë të lartë.
Në pushtimin otoman të Shqipërisë sëbashku me trupat osmane kishte dhe popullsi zezake që shërbente pranë tyre. Me islamizimin e Shqipërisë në shekullin e XVII, pjesëmarrja e pashallarëve shqiptarë në fushatat osmane, bëri të mundur që kjo popullsi të kishte një prani më të madhe në territoret shqiptare.
[gallery]21225[/gallery]
Zakonisht njerëzit nga popullsia zezake shërbenin pranë pashallarëve të fuqishëm shqiptarë dhe ishin objekt kurioziteti mes shqiptarëve. Ata ishin robër lufte apo dhe ushtarë që kishin marrë pjesë në fushatat e mëdha osmane për të nënshtruar territore afrikane, si ishte rasti i pushtimit të Sudanit nga fuqitë e Mehmet Ali Pashës.
Në këtë fushatë morën pjesë shumë forca mercenare shqiptare, prijësit e të cilëve kur u kthyen në Shqipëri, sollën me vete edhe robër zezakë apo dhe ushtarë të rekretuar që u shërbenin besnikërisht. Gjurmë të drejtë për së drejta të këtyre personave nuk gjejmë, në popullsinë e sotme në Shqipëri, por përmes shkrimeve dhe tablove mund të evidentohen lehtë prania e tyre në Shqipëri.
Bajroni në takimin e famshëm me Ali Pasha Tepelenën në tetor 1809 , kur përshkruan hyrjen e personazhit letrar Childe Harold në kështjellën e Tepelenës përmed mes popullsive të tjera që baresin në oborr, dhe etiopianë.
Rëndom mbi prag të portës që kërcet,
Nget kalin shpejt ndonjë tartar fesgjatë.
Turq, grekë, shqiptarë, arapë aty përzien
Në lloj-lloj ngjyra gjer sa zëri i mbytur.
Më poshtë kur përshkruhen popullsitë përmenden sërish etiopianët.
Delinë me qylaf e jatagan,
Grekun dinak, të zinë bir me cen
T’Etiopisë.
Nuk mund të nxjerrësh një evidencë të qartë nga këto vargje sesa duhet të ketë qenë numri i tyre në Tepelenë, por të paktën për një personazh historik, gojëdhëna e ka sjellë deri në ditët tona se mund t’i përkiste kësaj popullsie. Vetë , Jusuf Arapi, një nga besnikët e Ali Pasha Tepelenës, mendohej se ishte një mulat dhe gjysëm vëlla i Pashait, që i ati i tij Veliu, e kishte me një skllave haremi etiopiane.
Mbiemri i tij është një provë linguistike që dëshmon origjinën e tij. Po kështu në tablonë e njohur të Dypre-së, ku Ali pasha Tepelena është duke gjuajtur në liqenin e Butrintit , Jusuf Arapi qendron në krye të varkës.
Ai është i paraqitur si esmer , i veshur me rroba popullore shqiptare dhe qëndron në krye të kiçit të barkës. Omer Vrioni, një prijës tjetër shqiptar që mori pjesë në fushatën e Egjiptit, sëbashku me prijës të tjerë shqiptarë, sipas Pouqeuville, kur u kthye në Janinë , në 1808, solli me vete gamile, gruan nga fisi i mamlukëve dhe disa shërbëtore zezakë.
Po kështu është fakt i njohur që Marko Boçari, heroi shqiptar i pavarësisë greke, u vra gjatë sulmit të tij në Karpenisë nga arapi i pashës, roja besnike i Mustafa Pashë Bushatlliut. Marko Boçari, sëbashku me 300 suliotë , të veshur me rroba shqiptare, duke shfrytëzuar rastin që flisnin shqip u futën brenda kampit osman që udhëhiqej nga Mustafa Pashë Bushatlliu, dhe u përpoqën që të arrinin deri te çadra e tij për ta vrarë. Në tablonë e njohur të piktorit gjerman Peter Von Hess, Vdekja e Bocarit në Karpenisë, shikojmë arapin e pashës, rojen besnike të Mustafa Pashë Bushatlliut që jep goditjen fatale.
Pra siç shikohet ka një shpërndarje nga jugu në veri të popullisë zezake në territoret shqiptare të njohur , ndryshe dhe me emërtimin harap ose arap. Duket se të pasurit e një arapi si roje besnike ka qenë një traditë e konsiliduar ndër pashallarët shqiptarë. Kësaj tradite nuk i shpëtoi as Mbreti Oto I i Greqisë, që një nga rojet e tij më besnike kishte Markon nga Abisinia.
Në tablonë e piktorit gjerman Leopold Karl Müller, “The Greek Moor” –Mauri Grek(1855), është një dëshmi e pranisë së popullisë zezake dhe në oborrin mbretëror grek. Ka të ngjarë që personi i portretizuar është Marko nga Abisinia, një nga truprojat personale të Mbretit të Greqisë , bavarezit Otto I( 1815-1867).
Gjithësesi përqëndrimi më i madh i kësaj popullsie, çuditërisht gjendej në Ulqin, në pjesën më veriore të aeralit etnik shqiptar që pas pushtimit të tij nga otomanët në 1571, kishte hyrë n disa zhvillime të vrullshme demografike. Për aq sa dëshmon historiani anglez Noel Malcom në librin e vet “Agjentët Perandorakë”, Ulqini ishte një qytet etnikisht shqiptar, me popullsi që i përkiste besimit katolik.
Dy nga familjet më të mëdha fisnike të kohës , Brutti dhe Bruni do të luanin një rol të madh në historinë e rajonit dhe të Evropës. Rënia e Ulqinit në duart e osmanëve, ndryshoi strukturën urbane, sociale por edhe ushtrimin e ndryshëm të zejtarive. Ulqini gradualisht fillon dhe merr pamjen e një qyteti oriental, me ndërtime të objekteve të kultit islam, krojeve si vend relaksimi dhe meditimi por edhe me ndalimin e prodhimit të verës dhe vazhdimin e prodhimit të vajit të ullirit. Ai vazhdon të mbetet një derë komunikimi midis Lindjes dhe Perëndimit, përderisa mendohet se Sabaedin Zeevi, i ashtëquajturi Messia hebre , brakstis Beratin dhe shkon dhe vendoset në Ulqin. Një nga zejet më të përhapura në Ulqin. bëhet si në asnjë qytet tjetër shqiptar të bregdetit, ndërtimi i anijeve dhe lundrimi. Venedikasit në luftërat dhe paqen e nënshkruar me osmanët bënin çmos që deti Adriatik të mbetej një liqen venedikas, pa lejuar ndërtimin e porteve osmane në brigjet e Adriatikut lindor. Kjo luftë e hapur midis tyre kishte dëmtuar dhe lundrimin në brigjet shqiptare, të cilat nga një element mbizotërues dikur me popullsinë ilire, ishin kthyer tani nënjë popullsi që nuk e mbarështonte ndërtimin e anijeve dhe në përgjithësi kulturën e detit. Ulqini, bënte një përjashtim në këtë drejtim dhe llojet e ndryshme të anijeve që prodhonte si dhe flota që mbante e kishin shndrruar në një qytet të rëndësishëm për Perandorinë Osmane, pasi flota e tij përdorej në ballafaqimet dhe betejat detare të saj me Perëndimin. Përdorimi dhe mbajtja e kësaj flote lidhet ngushtë dhe me praninë e popullsisë zezake në Ulqin.
Popullsia zezake fillimisht kishte ardhur aty si skllevër te blerë në pazare të skllevërve në Vlorë nga detarët ulqinakë për të shërbyer në anije. Pazare të tillë skllevërish siç dëshmon Pouqeuville kishte dhe Butrint apo Prevezë, ku sundimtarët lokalë blinin robër të kapur nga anijet e piratëve. Duke qenë se lundrimi vazhdonte të ishte ende i bazuar dhe në rrema, ky proces kërkonte një fuqi të madhe njerëzore që qyteti i Ulqinit nuk mund ta përballonte me popullsinë e vet.
Kjo ishte dhe një nga arsyet e blerjes së skllevërve dhe vendosjes së tyre në Ulqin në një lagje të veçantë. Kaq e rëndësishme ishte kthyer prania e këtyre familjeve dhe skllevërve zezakë sa dhe fuqia ekonomike e familjeve ulqinake varej pikërisht prej numrit të zezakëve qe kishte në kuadër të familjes. Nuk ka të dhëna të sakta se sa ishte realisht numri i zezakëve në Ulqin, por afërsisht themi se ishin disa dhjetëra, e kjo ka të bëjë sidomos në shekujt e XVII dhe XVIII e deri në fillimet shek.XIX. Për shkak se ra, kërkesa për fuqi njerëzore për anije me rrema, numri i të ardhurve rishtaz u pakësua. Në këtë kontekst duhet të ketë ndikuar edhe ndalimi i skllavërisë nga Franca në 1803 dhe Anglia në 1807, si dhe hyrja në urbanizimin kapitalist dhe modernitetin në legjislacion të Perandorisë Osmane.
Po kështu vetë Perandoria Osmane nëpërmjet disa disa fermanëve filloi që nga vitit 1830, 1856 dhe përfundimisht në vitin 1871ta ndalojë skllavërinë. Popullsia zezake e mbetur në Ulqin, më vonë fitoi lirinë dhe u integrua ne jeten e qytetit. Në aspektin social, komuniteti i arapëve siç quhen në Ulqin, në shumë aspekte ata u bën pjesë e familjeve ulqinake, duke punuar në bashkësitë familjare por edhe angazhimin në detari, bujqësi e shërbime tjera. Ata, bashkëjetuan me shqiptarët, morën nga kultura shqiptare por edhe i dhanë kulturës shqiptare aq sa kishin mundësi, ku në mënyrë të veçantë dallohet fusha e folklorit. Interesant është mbiemri dhe etnonimi që kjo popullsi ndan që nga jugu i Shqipërisë e deri në veri, një formë arkaike e shqipes harapi ose arapi.
Duke ndarë fatin me shqiptarët ata moren mbiemrat e familjeve shqiptare ku ishin vendosur, por edhe u shperngulen me agallarët e beglerët ulqinakë siç ishte rasti në vitin 1880, duke u vendosur në Shkodër, kur Ulqini iu dorëzua Malit të Zi nga ana e Fuqive të Mëdha. Si dëshmi kemi pasardhësit e tyre që janë edhe sot në Shkodër ndonëse në numër të reduktuar, sikurse edhe në Ulqin. Dëshmia më e fundit e tyre në artin shqiptar është një tablo e njohur piktorit të njohur Kol Idromeno. Në 1916 ai na ka lënë një pikturë të titulluar “Arapi i Beledijes”. Ka të ngjarë që Arapi, që shërbente pranë bashkisë së Shkodrës të jetë një prej këtyre zezakëve të Ulqinit.
Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com