TIRANE- Altin Arapi ka deklaruar dje se ai nuk ka humbur në Gjykatën e Strasburgut. Në një deklaratë për mediat Arapi thekson se ai ka fituar të gjitha çështjet në gjykatat evropiane. Ndërsa akuzon ish kryeministrin Berisha si personin që ka degraduar sistemin e drejtësisë në Shqipëri. “Pasi ka privatizuar dhe shkatërruar tërësisht sistemin e drejtësisë shqiptare, nga mjerimi dhe frika e konfirmimit të së vërtetës, mori guximin të fuste duart edhe në tempullin e drejtësisë evropiane”, shprehet Arapi.

Deklarata
“Nuk e kam humbur unë gjyqin me shtetin shqiptar, por Sali Berisha dhe sejmenët e tij. I rikujtojmë, se i ka humbur të gjitha gjyqet, që janë bërë nga gjykatat e huaja evropiane, si nga unë personalisht, por edha nga të tjerë, që ai i ka përfshirë në bijën e tij legjitime “Hakmarrja për Drejtësi”. Çdo vendim i marrë ia ka rrëzuar maskën e mashtruesit, por ky vendim e ka lënë krejt lakuriq jo vetëm atë, por edhe “bardhoshët” e tij. 

Pasi ka privatizuar dhe shkatërruar tërësisht sistemin e drejtësisë shqiptare, nga mjerimi dhe frika e konfirmimit të së vërtetës, mori guximin të fuste duart edhe në tempullin e drejtësisë evropiane. Me këtë “kontribut” të fundit i ka provuar edhe botës, se është meritë e tij degradimi i sistemit të sotëm të drejtësisë në Shqipëri. Le t’i gëzojë si fitimtar pushimet e beharit. Le t’i shijojnë përgëzimet dhe shpërblimet edhe “larashët” dhe “bardhoshët” e tij. Por, të mos harrojnë, se pashmangshëm behari do t’ia lërë vendin dimrit dhe kanë për t’u ngrohur, në mos djegur, në zjarrin e zullumeve të tyre”, thuhet në deklaratën e Altin Arapit.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 5 Gusht 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)