Gazetari Adriatik Doçi është shprehur se një ekip nga Zvicra kreu kontrolle në burgjet shqiptare, për të verifikuar pretendimet e ish-zv.kryeministrit për ambiente të papërshtatshme dhe shkelje të të drejtave të njeriut.

Komentet Doçi i bëri në emisionin ‘Studio Live’ në Report TV me gazetarin Ermal Qori, ku tha se Ahmetajt, pavarësisht kërkesës, ende nuk i është pranuar azili politik në Zvicër, ç’ka tregon se mundësia për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë mbetet e hapur.

“Janë dy procese, dy dosje për Arben Ahmetajn. Çështja e privatizimit të pasurive publike që po ecën dhe dosja me rolin e tij në të ashtuquajturën afera e inceneratorëve, që është e kopsitur nga ana e SPAK. U arratis në Zvicër dhe ka kërkuar azil politik, por kërkesa për azil politik nuk është miratuar ende. Ka ardhur një ekip nga Zvicra dhe ka parë kushtet e burgjeve në Shqipëri, me qëllim për të konfirmuar ose jo pretendimet e tij për kushte të papërshtatshme dhe që shkelin të drejtat e njeriut. Kjo ka ndodhur para disa javësh”, tha mes të tjerash Doçi.

Doçi zbuloi të tjera detaje nga aktiviteti i përditshëm i Ahmetajt, teksa tha se ish-zv.kryeministri ka hapur një biznes ndërtimi në Lugano (por nuk kishte informacione nëse ishte biznes i ligjshëm, apo për pastrim parash).

Ai tha gjithashtu se dëshmia e tij audio në SPAK mund të jetë për llogari të vetë Ahmetajt, por nuk besonte që kjo do ta kthente ish-zv.kryeministrin në të penduar të drejtësisë.

"Ahmetaj vazhdon aktivitetin në Lugano të Zvicrës. Ka hapur edhe një biznes ndërtimi. Nuk e di nëse pastron para apo është biznes i ligjshëm, nuk kam fakte për këtë. Mendoj që janë procedura krejt normale për të verifikuar pretendimet e një personi që kërkon azil. Mbase dëshmia e tij audio do jetë për llogari të procesit të tij, por nuk është se kjo e kthen atë në një të penduar të drejtësisë, për të rrëfyer të gjitha aferat që ai di”, tha mes të tjerash Doçi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:19
‘Berisha ka planifikuar të djegë piramidën’- Doçi ‘zbulon’ skenarin e protestës së 20 shkurtit: PD ka rekrutuar fëmijë të komunitetit Rom për hedhjen e molotovëve

 

Gazetari Adriatik Doçi është shprehur se me urdhër të kryedemokratit Sali Berisha, PD ka rekrutuar fëmijë të komunitetit Rom, për t’i përdorur për hedhjen e molotovëve në protestën e 20 shkurtit.

Komentet Doçi i bëri në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report TV, ku tha se në protestën e 20 shkurtit po planifikohet që të digjet Piramida e Tiranës, me argumentin që po digjet një simbol i komunizmit.

Doçi tha gjithashtu se planifikimi i këtyre akteve të rënda në protestën e 20 shkurtit po bëhet nga Berisha me qëllim që protesta e tij të ndërkombëtarizohet.

Ai shtoi gjithashtu se Berisha ka llogari të hapura me drejtësinë, pasi sipas Doçit, vrasjet e 21 janarit po hetohen në kuadër të ‘grupit të strukturuar kriminal’ dhe ‘vrasjeve në rrethana cilësuese’ që sipas tij parashikon dënimin e të implikuarve me burgim të përjetshëm.

“Aktet e dhunës janë në filozofinë e PD-së. I takon mazhorancës që të veprojë me hapa konkrete dhe jo me retorikë, duke klasifikuar molotovin si armë luftarake. Molotovi praktikisht është një armë luftarake. Konteksti politik i zhvillimit të protestave ka një prapavijë për të ruajtur biznesin, pra PD-në që është kthyer në një biznes familjar. Berisha dhe familja e tij kanë disa llogari të hapura me drejtësinë. Është dosja Partizani që po hetohet në GJKKO.

Ka një hetim tjetër për financimin e Rithemelimit, që janë shpenzuar qindra mijëra euro dhe që nuk u dihet burimi. Por është edhe çështja e nxehtë e 21 janarit që po hetohet si një grup i strukturuar kriminal. Po hetohet edhe për vrasje në rrethana të cilësuara. Që është vepra më e rëndë e mundshme në kodin penal. Kjo do të thotë që parashikohet për personat përgjegjës që janë implikuar deri në burgim të përjetshëm.

Në kushtet e këtyre 3 llogarive të hapura me drejtësinë dhe rrezikut të përçarjes së opozitës, ka zgjedhur këtë rrugën e molotovit. Në protestën e 20 shkurtit, sipas informacioneve janë bërë gati në një punishte sërish molotovë, janë rekrutuar fëmijë të komunitetit rom që të mos veprojë ligji penal ndaj tyre për shkak të moshës dhe është planifikuar edhe djegia e Piramidës me Molotov si simbol i Enver Hoxhës. Po përgatiten akte të rënda, me qëllim që të shkruajnë mediat ndërkombëtare”, tha mes të tjerash Doçi.